Auto

Franca dhe Gjermania planifikojnë mbrojtjen e prodhuesve evropianë të veturave elektrike

Franca dhe Gjermania kanë diskutuar planet për të mbrojtur prodhuesit evropianë të automjeteve elektrike, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përcaktuar subvencione për veturat e prodhuara në Amerikën Veriore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron po kërkon mbështetjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për një plan të ri që të ndihmohen prodhuesit evropianë të automjeteve të konkurrojnë me SHBA-në dhe Kinën, pasi Presidenti Joe Biden përshkroi subvencione të mëdha që përfitojnë makina elektrike të prodhuara në Amerikën e Veriut.

Megjithëse janë grindur për politikat e mbrojtjes dhe energjisë, Parisi dhe Berlini pajtohen se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për të promovuar industritë kombëtare, kanë thënë zyrtarët në të dy kryeqytetet, shkroi “Automotive Neës” të shtunën.

Në një intervistë të mërkurën në televizionin France 2 pas takimit me Scholz në Paris, Macroni tha se të dy liderët po pajtohen në idenë për të siguruar që subvencionet e veturave në BE të përdoren për automjetet e prodhuara evropiane.

"Ju keni Kinën dhe SHBA-në që mbrojnë industrinë e tyre, por Evropa mbetet e hapur ndaj të gjitha erërave, ne duhet të ndryshojmë," tha Macron në France 2. "Franca dhe Gjermania duhet të qëndrojnë së bashku sepse ne kemi qenë shumë të hapur”, shtoi ai.

Raportohet se edhe Scholzi i ka bërë jehonë kësaj pikëpamjeje.