Auto

Honda paralajmëron uljen e prodhimit gjatë shtatorit

Descriptive Text

Kompania japoneze e prodhimit të automjeteve, Honda, deklaroi se do të ulë prodhimin e veturave deri në 40 për qind në fillim të shtatorit, për shkak të zvogëlimit të furnizimit dhe çështjeve logjistike.

Siç raportoi Reuters të enjten, kompania e mori këtë vendim, pasi mungesa e çipave teknik shkaktoi reduktim të punës.

Ulja e prodhimit do ta përfshijë fabrikën në Saitama, në veri të Tokios, e edhe dy fabrika në Suzuka do ta reduktojnë punën për afro 30 për qind.

Honda fajësoi vonesat e furnizimit me çipa dhe logjistikes së brendshme për shkak të koronavirusit. Reduktimi i prodhimit do ta prekë veturën sportive Vezel, minivanin Stepwgn dhe Civic.

Kompania japoneze theksoi se plani i prodhimit ishte rregulluar në majin e këtij viti, por që gjithçka ndryshoi gjatë qershorit.

Rivali i Hondas, Toyota, tha se do ta ruajë planin pozitiv të prodhimit së veturave. Kompania tha se në shtator pret t’i prodhojë afro 850 mijë automjete në gjithë globin dhe se do të kërkojë ta rrisë prodhimin në nëntor.