Auto

Policia çeke e kthen Ferrarin e konfiskuar nga kriminelët në veturë patrullimi

Policia në Republikën Çeke e ka kthyer një Ferrari me fuqi të lartë që e kishte konfiskuar nga kriminelët, në një veturë patrullimi të aftë për të ndjekur dikë me shpejtësi në mbi 300 kilometër në orë.

Ferrari 458 Italia i vitit 2011 ishte në ngjyrë të kuqe, por autoritetet e ngjyrosën me të verdhë e të kaltër, vija të ndezura dhe i vunë drita sipër. Do të përdoret për të ndjekur veturat e vjedhura dhe për ndaluar garat e paligjshme në rrugë, tha policia.

Ndërsa modelet e ngjashme mund të arrijnë vlerën 150,000 funte, policia çeke tha se supervetura nuk ishte blerje luksoze; ata e modifikuan për rreth 10,300 funte.

Vetura do të përdoret nga një departament special i vëzhgimit dhe do të drejtohet vetëm nga policët e trajnuar, raportoi The Guardian. 

Jiří Zlý, drejtor i Departamentit policor të Trafikut, tha se vetura do të përdoret kundër disa kriminelëve “më agresivë” në rrugët e Çekisë.

Forca policore e këtij vendi nuk është e vetmja që përdorë vetura sportive. Policët italianë kanë bashkëpunim me Lamborghinin dhe ata i përdorin veturat e tyre për të transportuar furnizime urgjente me gjak në vendet e aksidenteve. Në Dubai, policia drejton një seri të tërë superveturash.