Auto

Solid Power po punon që sivjet t’i dorëzojë bateritë e ngurta te BMW-ja e Ford-i

Kompania amerikane Solid Power po punon që bateritë në gjendje të ngurtë për veturat elektrike, t’i dërgojë deri në fund të vitit te kompanitë e para testuese, BMW e Ford Motor.

Siç raportoi Reuters të martën, shefi ekzekutiv i kompanisë, Doug Campbell, tha se kompania e tij në Kolorado të SHBA-së, ka ngritur një linjë prodhimi për t’i testuar bateritë e ngurta, ndërsa për prodhim masiv tha se duhet pritur deri në vitin 2026.

Ai shtoi se është në kërkim të ndonjë partneri që do bënte prodhimin e baterive.

Campbell shtoi se Solid Power ka kapacitet të mjaftueshëm për prodhimin e pilot-baterive për veturat elektrike, mirëpo nuk dha detaje shtesë.

Kompania Solid Power u bë e njohur në vitin 2021, kur bashkëpunoi me Hyundain.

Kreu i kompanisë shtoi se ka konkurrencë intensive në prodhimin e baterive në gjendje të ngurtë nga Toyota, Panasonic, Samsung, LG Energy Solution, Hyundai dhe CATL.

“Jemi në një hapësirë mes shumë ekipesh të spikatura dhe të besueshme”, tha Campbell.

Aktualisht, të gjitha veturat elektrike në botë furnizohen me rrymë nëpërmjet mbushësit.