Auto

Në Itali nuk po i konsiderojnë veturat elektrike si zgjidhje ndaj emetimeve të karbonit

Veturat elektrike nuk po konsiderohen si rruga e vetme efektive për reduktimin e emetimeve të karbonit nga industritë.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë të Automobilave në Itali, Paolo Scudieri, deklaroi se teknologjitë e tjera mund të ndihmojnë në dekarbonizimin e industrisë, duke i përmbushur objektivat e njëjta që synohen nëpërmjet veturave elektrike.

Siç raportoi Reuters të mërkurën, Scudieri deklaroi se fokusi ekskluziv në teknologjinë e veturave elektrike, aktualisht i dominuar nga prodhuesit aziatikë, do t’i rrezikonin mbi 73 mijë vende pune në Itali gjatë viteve të ardhshme.

Ai shtoi se këto vende pune nuk do të mund të zëvendësoheshin më, nëse teknologjia elektrike zhvillohet më tej. Kreu i Shoqatës së veturave tha se 450 prodhues të pjesëve së veturave në Itali, nga 2200 sa janë, rrezikojnë ta humbin punën në kohën kur ende nuk ka nisur zhvendosja e plotë e prodhimit të teknologjisë elektrike.

Komisioni Evropian ka propozuar ulje 100 për qind të emetimeve të dioksidit të karbonit deri në vitin 2035 në të gjitha industritë. Objektivi, sipas këtij institucioni është që të ndikojnë në uljen e ndryshimeve klimatike.

Ndërkohë Parlamenti Evropian pritet të mbajë një debat javën e ardhshme mbi politikat klimatike, duke përfshirë ndalimin efektiv të makinave me motor me djegie.

“Çdo votë do të ketë rëndësi dhe dëshira ime është që eurodeputetët tanë të votojnë duke pasur parasysh edhe interesat e vendit”, tha Scudieri.