Auto

Renaulti në krizë, nuk po arrin as ta zvogëlojë fuqinë punëtore

Renault po vuan për të përmbushur objektivin e zvogëlimit të fuqisë punëtore në Francë - pjesa kryesore e planit të uljes së kostove të prodhuesit të veturave - ndërsa pak punonjës janë regjistruar deri tani në një program pushimesh vullnetare.

Vetëm rreth 300 njerëz kanë rënë dakord të largohen nën planin e programit për pushime vullnetare, shumë më pak sesa qëllimi që ishte 1900 persona, sipas Guillaume Ribeyre, një përfaqësues i sindikatës së punës në Renault. Renault filloi të ofrojë stimuj për punëtorët që të largohen në dhjetor dhe ata kanë kohë deri në shtator për të pranuar, njoftojnë mediat ndërkombëtare.

Vështirësitë e Renaultit për të zvogëluar listën e pagave janë ndër shumë sfida me të cilat përballet shefi ekzekutiv Luca de Meo. Pandemia uli dukshëm shitjen e veturave në Evropë, tregun e saj më të madh, duke çuar në një humbje rekord vjetore. Kompania zbuloi një plan gjithëpërfshirës në maj për të larguar 14.600 punëtorë.

Plani kërkon që një total prej 4,600 punëtorësh të largohen në Francë përmes programit vullnetar të negociuar me sindikatat, plus pensionin e parakohshëm.

Ngurrimi i punonjësve të Renaultit për t'u larguar reflekton shqetësimin për perspektivat e punës gjatë një krize globale shëndetësore dhe ekonomike. Rreth 60 mijë punëtorë pritet të largohen nga fabrikat e veturave në Francë brenda pesë vjetëve, si shkak i krizës nga pandemia.

Muajin e kaluar, Renaulti paralajmëroi investitorët se 2021 do të jetë një vit tjetër sfidues për shkak të COVID-19 dhe mungesës së gjysmëpërçuesve që pengojnë prodhimin global të veturave. Në një lëvizje të befasishme për të ulur borxhin, Renault javën e kaluar shiti të gjithë 1.5 për qind të aksioneve në Daimler.