Auto

Toyota është prodhuesi më i madh në botë i veturave, kalon Volkswagenin

Foto: Bankok Post

Toyota ka kaluar Volkswagenin në vitin 2020 për sa u përket shitjeve të veturave. Kësisoj, gjiganti japonez pas pesë vjetësh ktheu kurorën si prodhuesi kryesor në botë, pasi rënia e kërkesës për shkak të pandemisë së koronavirusit goditi më shumë kompaninë gjermane.

Toyota tha se shitjet e saj globale ranë me 11.3 për qind në vitin 2020, në 9.528 milionë vetura, ndërsa Volkswagen Group regjistroi rënie prej 15.2 për qind dhe shiti 9.305 milionë vetura, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Prodhuesit e makinave në të gjithë botën janë goditur rëndë nga kufizimet si pasojë e koronavirusit të vendosura në të gjithë botën, të cilat kanë detyruar kompanitë të zvogëlojnë ose pezullojnë prodhimin në disa uzina.

Toyota, megjithatë, i mbijetoi pandemisë më mirë, pasi Japonia, ose tregu i saj i brendshëm, si dhe rajoni aziatik ishin përgjithësisht më pak të prekura se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa kërkesa për vetura po rikuperohet, veçanërisht në Kinë, Toyota, Volkswagen dhe prodhues të tjerë po garojnë për të marrë sa më shumë pjesë të tregut në segmentin në rritje të veturave të elektrizuara (vetura hibride dhe plotësisht elektrike).