Auto

Passati i ardhshëm do të jetë i njëjti në gjithë botën, nuk do të dallojë më nga ai amerikan

Gjenerata e ardhshme e modelit Volkswagen Passat do të jetë i unifikuar, që do të thotë se do të jetë vetura e njëjtë në të gjithë botën.

Duke shitur më shumë se 30 milionë njësi, Volkswagen me shumë krenari thotë se Passati është vetura sedan më e shitur e tyre ndonjëherë, transmeton KOHA.

Ky model tani për tani është duke u ndërtuar në tre shtete të ndryshme në 10 fabrika për më shumë se 100 tregje ndërsa paraqet emrin më të njohur të kësaj kompanie, menjëherë pas modelit Golf.

Edhe pse emrin “Passat” është përdorur në të gjithë botën, modeli evropian ka qenë shumë më i sofistikuar se sa ai amerikan.

Por kjo do të ndryshojë me gjeneratën e ardhshme të këtij modeli, i cili sipas ueb faqes automobilistike Autocar, do të vijë i njëjti në të gjithë botën, në platformën MQB të përditësuar.

Passati që do të prodhohet në Evropë nuk do të prodhohet nga Volkswageni, pasi fabrika e tyre në Gjermani do të mbyllet, por ai do të prodhohet në fabrikat e Skoda’s, ku prodhohet edhe modeli Superb në Republikën Çeke në fabrikën në Kvasiny.

Edhe pse nuk janë bërë të ditur shumë detaje rreth ti, ai pritet të jetë më i madh se modeli i tanishëm.