Auto

Scania planifikon shkurtime, mund të preken deri 5000 vende pune

Prodhuesi suedez i kamionëve dhe autobusëve, Scania, që është në pronë të kompanisë gjermane Traton, po planifikon shkurtime të vendeve të punës dhe vlerëson se ka tepricë mbi 5000 vetë, si rezultat i krizës së shkaktuar nga koronavirusi, njofton agjencia Reuters.

Traton, ku Volkswageni ka 89.7 për qind të aksioneve, ka njoftuar muajin e kaluar se në çerekun e parë operues profiti ka rënë për dy të tretat, ndërsa pandemia e koronavirusit kishte ndaluar gati gjithë industrinë e automobilëve.

Shefi-ekzekutiv i Scanias, Henrik Henriksson, të hënën ka thënë se do të rishikohen 1000 pozita pune në selitë në Sodertalje, ndërsa rreth 5000 vende pune mund të shkurtohen. Kompania globalisht punëson rreth 51 mijë persona.

“Vlerësimi ynë është se do të duhet kohë e gjatë para se tregu të arrijë nivelin para-krizës dhe për këtë arsye duhet të adaptojmë organizatën te situata e re. Këto do të jenë masa në gjithë kompaninë”, është thënë nga Henriksson.