Auto

Shofere në Kosovë

Blerta Bytyçi, kampione e Kosovës në garat e automobilizmit

Vetëm rreth 10 për qind e automobilave në Kosovë janë në pronësi të grave, edhe pse rreth 30 për qind e shoferëve në rrugët e Kosovës janë të gjinisë femërore. Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, në Kosovë janë 35 mijë e 368 automjete në pronësi të gjinisë femërore. Automjete që janë aktive e që janë në pronësi të gjinisë femërore janë saktësisht 26 mijë e 479 njësi, bazuar në përgjigjet e dhëna nga kjo ministri për “Kohën Ditore”.

Më 20 dhjetor 2019, MPB-ja kishte bërë të ditur për gazetën se në Kosovë më 2019 ishin 342 mijë e 869 automjete të regjistruara. Nga kjo del se gratë në Kosovë janë vetëm rreth 10 për qind pronare të automjeteve që qarkullojnë nëpër rrugët e vendit. Megjithatë, krejt raport ndryshe është ai i pajisjes me patentë shoferi. Në përgjigjen e MPB-së theksohet se numri total i patentë shoferëve të lëshuar në Kosovë është rreth 730 mijë. Nga ky numër rreth 30 për qind janë gra. Në Kosovë 202 mijë e 73 gra kanë marrë patentë shoferi, ndërsa janë pajisur me leje qarkullimi edhe 527 mijë e 704 burra.

Trendi është i njëjtë edhe në vitin 2019. Nga 82 mijë e 124 patentë shoferë të lëshuar në vitin e shkuar, 20 mijë e 884 ishin për shoferet. Kjo përbën rreth 25 për qind sa u përket lejeve të qarkullimit të lëshuara një vit më herët. Më 2019, me patentë shoferë u pajisën 61 mijë e 240 burra. Nga numri total i grave me leje qarkullimi në Kosovë, vetëm 26 janë të pajisura me lejet për qarkullim në kategorinë C ose D, apo leje për kategoritë më të mëdha se automobilat e zakonshëm.

Thyerja e paragjykimeve

Edhe pse është paragjykuar gjithmonë që ngasja e automjeteve të rënda është vetëm për burrat, kjo “traditë” është thyer nga gratë në Kosovë. “Gratë në automobilizëm” ishte ngjarja që kishte mbledhur në tetor të 2019-s gratë që thyen paragjykimet se disa profesione janë vetëm për meshkujt.

Dorentina Qerimi, automekanike, Laura Mirena, shofere e “Trafikut Urban” dhe Blerta Bytyçi, kampione e “garave automobilistike”, cilësohen shembuj motivues për gratë e tjera.

Gratë në Kosovë janë treguar të zonja edhe në ngasjen e autobusëve. Në “Trafikun Urban” dy nga 115 shoferët janë të gjinisë femërore. Kjo ndërmarrje ka vlerësuar lart përkushtimin e shofereve... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)