Auto

Shpiket xhaketa e mençur e cila i mbron çiklistët nga automjetet autonome

Foto: Philip Siwek

Një student kanadez i dizajnit kohët e fundit e fitoi çmimin për inovacionin e tij në një konferencë ndërkombëtare për dizajn në Chicago. Bëhet fjalë për - xhaketën për çiklistë.

Philip Siwek e ka dizajnuar një zgjidhje interesante për problemet e së nesërmes. Xhaketa do të duhej ta rrisë sigurinë e çiklistëve në rrugët në të cilat qarkullojnë automjetet autonome.

Bëhet fjalë sigurisht për veshjen e parë të mençur, por ideja e Siwek ka potencial. Çiklizmi në rrugë njëkohësisht me automjetet “robotike” është padyshim diçka që do të shkaktojë probleme të cilat nuk i kemi parashikuar.

Të gjitha automobilat me njëfarë niveli të autonomisë mbështeten në shikimin kompjuterik, kamerat, sensorët, radarët dhe gjërat e ngjashme, për të qarkulluar në hapësirë, shkruan Koha Ditore. Në këtë mënyrë ato qarkullojnë rrugëve dhe i shmangin pengesat dhe pjesëtarët e tjerë në trafik.

Në një mjedis të tillë, çiklistët mund të bëhen një kategori e rrezikuar. Ata janë të vegjël, të shkathët dhe të shpejtë, dhe ngasin nëpër rrugë, kështu që automjetet autonome nuk i vërejnë domosdo në radarët e tyre.

Image

Rreziku nga përplasjet me çiklistët rritet në kushte të këqija të motit të cilat e zvogëlojnë shikueshmërinë përmes lidarëve ose natën, kur kamerat e humbasin precizitetin.

Prandaj duhet që çiklistët të etiketohen/markohen ashtu që automjetet t'i “shohë” ata në të gjitha situatat e mundshme. Prandaj Siwek e zhvilloi një prototip të një xhakete që ka sipërfaqe shumë reflektuese në formën e barkodeve 2D.

Kur automjeti e ndriçon çiklistin që e bartë këtë xhaketë, kamerat e tij e marrin një sinjal shumë të qartë, përmes kodit digjital të dukshëm nga të gjitha anët, se bëhet fjalë për një çiklist.

Në mëngë janë vendosur shirita reflektues shtesë, kështu që kur çiklisti vendos të kthehet dhe të japë sinjal dore, automjeti autonom do ta regjistrojë atë lëvizje si “sinjalizim për kthim”.

Xhaketa, pretendon Siwek, është “kompatibile me ngasësit njerëzorë”. Mbi të mund të vendoset edhe çanta e shpinës pa i penguar sinjalet reflektuese, ndërkohë që ka pamje elegante dhe nuk bie në sy.