Auto

Këtë fundjavë mbahet gara e fundit malore për sivjet e kampionatit të Kosovës në automobilizëm

Gara e fundit, e gjashta me radhë, e diciplinës malore për kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm mbahet në këtë fundjavë në Goden të Gjakovës.

Kjo garë fillon nga ora 8 e mëngjesit, k do të bëhet paraqitja e garuesve, pastaj në orën 12:30 pritet të filloj gara e parë, transmeton koha.net.

Auto Klubi HCR Gjakova dhe Federata e Auto Sportit e Kosovës i kanë marrë të gjitha masat që edhe kjo garë të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu sikur edhe pesë garat paraprake.

Këtë e ka bërë të ditur federata e Auto Sportit të Kosovës, të cilët presin rivalitet të madh në gara e interesim të madh të njerëzve.

“Një gjë është e sigurt. Rivaliteti këtë herë, sidomos në disa klasa, do të jetë edhe më i madh për faktin se gara është përcaktuese për renditje në plasmanin e përgjithshëm.

Numri garuesve pritet të jetë i madh, ndërsa edhe interesimi i dashamirëve të auto sportit pa dyshim që do të jetë i kënaqshëm.”, kanë deklaruar nga kjo federatë.

“Të shtunën prej orës 08-10:00 bëhet paraqitja në garë për të vazhduar më pas me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik, ndërsa vozitja e parë pritet të fillojë në orën 12:30.

Të dielën, duke filluar nga ora 10:00 bëhet renditja e garuesve në bazë të rezultateve të arritura të shtunën dhe pas procedurave të zakonshme, gara fillon në orën 12:00.

Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve dhe Ndihma e Shpejtë do të asistojnë në garë, ndërsa organizatorët shpresojnë se nuk do të ketë nevojë për intervenimin e tyre. “, kanë shtuar ata.