Auto

Qyteti në Kroaci bën monument për Mercedesin

Një qytet në jug të Kroacisë, banorët e të cilit janë të obsesionuar me Mercedes-Benzin, planifikon të ndërtojë një monument për kompaninë gjermane që simbolizon suksesin për banorët e zonave rurale në këtë vend.

Gati gjysma e 16 mijë veturave të regjistruara në Imotski, që është në kufi me Bosnjen, janë Mercedesë, sipas Ivan Topiqa Nota, promotori kryesor për ndërtimin e monumentit të Mercedesit.

“Mund t’iu siguroj se ka po ashtu shumë tjera që mbahen në garazhe. Kam 13 Mercedesë të vjetër dhe katër nga ta janë të regjistruar për vozitje”, ka thënë ai në një ceremoni të vendosjes së gurthemelit të dielën.

Ai shtoi se projekti synon po ashtu që të hyjë në Librin e Rekordeve “Guinness” duke mbledhur më së shumti automobila Mercedes-Benz në një vend në shtator, shkruan Reuters.

Në vitet e ’60-a dhe ’70-a shumë njerëz nga zonat rurale të Imotskit shkonin në punë në Gjermaninë Perëndimore për të ndihmuar familjet në shtëpi. Kur ktheheshin apo vinin për vizitë, vozitja e Mercedes-Benzit shihej si shenjë suksesi.

“Këta njerëz fituan një respekt special në komunitet. Një storie dashurie mes banorëve dhe Mercedesit kishte shpërthyer, andaj a nuk e meritojnë një monument?” ka thënë Topiq, transmeton Koha.net.

Monumenti në Imotski do të ndërtohet nga guri dhe do të përfaqësojë Mercedesin 115, një model i famshëm te këta banorë e që u prodhua mes viteve 1968 dhe 1976. Çmimi i këtij monumenti sillet rreth 70 mijë euro.

“Tashmë kemi grumbulluar gjysmën e këtyre të hollave, madje edhe autoritetet e qytetit dhe kryetari dhuruan. Në shtator, planifikojmë të thyejmë rekordin për mbledhjen e më shumë se 2000 veturave Mercedes në një vend. Kjo do të na sjellë përfitime për fondin”, ka thënë Topiq.