Auto

Në Shqipëri hyn në fuqi vendimi për zhdoganim të makinave të prodhuara nga viti 2005

Tiranë, 26 mars - Ka hyrë në fuqi ndryshimi në vendimin për zhdoganimin e automjeteve të vjetra. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare.

Për të gjithë ata që kanë zhdoganuar makinat e vjetra, numri i të cilave arrin 60 mijë, por nuk kanë mundur t’i regjistrojnë, kanë afat deri më 31 dhjetor për regjistrimin.

Makinat e vjetra që kanë hyrë në vend, por nuk po arrijnë të zhdoganohen për shkak të mosplotësimit të standardeve të shkarkimit të gazrave, kanë afat deri më 31 dhjetor të kryejnë procedurat.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku në 27 shkurt tha se në vend do të lejohen të hyjnë makina të vjetra të standardit “euro 4”, nga “euro 5” që parashikonte vendimi i mëparshëm.

Sipas këtyre ndryshimeve, qytetarët do të kenë mundësi të importojnë makina të prodhuara nga viti 2005. Vendimi i mëparshëm lejonte vetëm importin e makinave të prodhuara nga viti 2009.