Pasnesër do ta mbajë premierën Mercedes CLA i ri, vjen me teknologjitë më të reja

Pasnesër do ta mbajë premierën Mercedes CLA i ri, vjen me teknologjitë më të reja

06 January 2019 20:52

Kompania prestigjioze gjermane e veturave, Mercedes-Benz, ka publikuar një video përmes së cilës paralajmëron gjeneratën e re të modelit CLA në version Coupe, premierën e të cilit do ta mbajë më 8 janar (pasnesër) në panairin CES 2019 në Las Vegas.

Mercedes-Benz CLA i ri do të vijë me platformën MFA2, i cili për dallim nga modeli aktual do të ketë më shumë hapësirë në bagazh dhe për pasagjerët në pjesën e pasme, transmeton Koha.net.

Image

Me pamjen moderne të eksterierit, vëmendje të veçantë do të tërheqë interieri e sidomos instrument-tabela digjitale (me ekranet 7.0 deri 10.25-inç – varësisht nga versioni), disa materiale cilësore, ulëset me ftohje/nxehje dhe masazh, si dhe vrimat e ventilimit në formë të një turbine.

Vendin e posaçëm e zë sistemi i ri për argëtim MBUX (Mercedes-Benz User Experience), i cili ka mundësinë e mësim-nxënies falë inteligjencës artificiale, si dhe vozitjes inteligjente përmes zërit.

Image

Sa i përket gamës së motorëve, Mercedes-Benz CLA i ri do të ketë në dispozicion motorët tashmë të njohur nga A-Class i ri, përcjell Koha.net. Ndër ta, është motori benzinë 1.33-litër me kapacitet prej 163 kuajfuqi si dhe tjetri po ashtu benzinë 2.0-litër me 224 kuajfuqi.

Varësisht nga versioni, CLA i ri do të jetë në dispozicion me marshin manual me gjashtë dhe shtatë shpejtësi. Po ashtu, do të jetë në dispozicion edhe me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Më vonë, pritet të vijë edhe versioni CLA 200d me 150 kuajfuqi dhe CLA 200d me 190 kuajfuqi. Dhe në fund do të arrijë edhe versionet AMG – CLA 35 me motor 2.0-litër Turbo me 306 kuajfuqi dhe CLA 45 me motor 2.0-litër Turbo me mbi 400 kuajfuqi.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme