Auto

Shoferë kujdes, nga sot pajisjet dimërore janë të detyrueshme

Nga 15 nëntori, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor në Kosovë duhet patjetër t’i kenë pajisjet dimërore.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

Po ashtu, Ligji thotë se gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore. Kushtet dimërore, sipas ligjit, nënkuptojnë rastet kur rruga është e mbuluar me borë ose kur në rrugë ka akull.

Shoferi që vozit automjet pa pajisje dimërore në të ashtuquajturin sezon dimëror, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh. Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

Sipas Udhëzimit administrativ për pajisje dimërore, të nxjerrë më 24 mars 2017, nga Ministria e Infrastrukturës, pajisjet dimërore për automjetet e udhëtarëve dhe mjetet transportuese deri në 3.5 tonë janë pneumatikët e dimrit në të gjitha rrotat.

Zakonisht në këtë kohë organet e sigurisë intensifitkojnë punën dhe koordinimin për mbajtjen e sigurisë në komunikacion.