Auto

Veturat elektrike në Europë tejkalojnë një milionëshin

Në Europë ka sot më shumë se një milion vetura elektrike, pasi shitjet u rritën me më shumë se 40 për qind në gjysmën e parë të vitit.

Sipas shifrave më të fundit, Europa ka arritur këtë shifër thuajse një ditë pas Kinës, që ka një treg më të madh veturash, por para Shteteve të Bashkuara, që pritet të arrijnë shifrën e një milion makinave elektrike më vonë këtë vit, kryesisht për shkak të oreksit të shtuar për modelin më të fundit të Teslas, shkruan tch.

Nga janari deri në qershor, rreth 195 mijë vetura elektrike janë shitur në të gjithë BE-në, Islandë, Lihtenshtajn, Norvegji dhe Zvicër, një rritje prej 42 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Me rritjen e shitjeve, numri total pritet të shkojë në 1.35 milionë deri në fund të vitit, sipas analistëve. Sipas këtyre të fundit, një milion vetura elektrike në Europë është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt elektrifikimit dhe plotësimit të objektivave për emetimet, por sidoqoftë nuk është i mjaftueshëm.

Shifrat përfshijnë vetura plotësisht elektrike, por edhe vetura hibride, që mund të udhëtojnë në distanca të shkurtra me bateri, para se të kalojnë te motori konvencional. Pavarësisht se shitjet e makinave po rriten, ato sidoqoftë përbëjnë vetëm 2 për qind të të gjitha veturave të reja që regjistrohen në Europë.

Norvegjia kryeson në këtë fushë me 36.500 vetura elektrike të shitura. Vendi ka qenë prej kohësh në pararojë për sa u takon veturave elektrike, kjo falë edhe nismave bujare të qeverisë. Sidoqoftë, numri i rritur i veturave elektrike në Gjermani tregon se, tregu më i madh i veturave në Europë pritet ta lërë pas Norvegjinë deri në fund të vitit. Holanda dhe Danimarka kanë shënuar po ashtu rritje, por Britania e Madhe nuk po e ndjek ritmin.