Auto

Fiço Festi mbledh në Sarajevë adhuruesit e kësaj makine në ditëlindjen e 63-të

Kryeqyteti i Bosnjë dhe Herzegovinës, Sarajeva, ishte nikoqir i ngjarjes së dytë të Fiço-Festit Ndërkombëtar.

Të apasionuarit pas këtij modeli të Fiatit dhe më vonë të Zastavës, u bënë bashkë në Sarajevë nga e mbarë Evropa, për të festuar ditëlindjen e 63-të, të automjetit legjendarë.

Siç tha organizatori i ngjarjes, Fadil Çerimagiq nga Shoqata "Fiço-klub", qytetarët e Sarajevës por edhe turistët të cilët ndodhen në qytet, kishin rastin të shohin 63 modele të "fiços", pronarët e të cilëve kishin mbërritur në Sarajevë nga pjesë të ndryshme të Evropës, raporton Anadolu Agency.

“Fiçon e parë e kam pasur në pronësi në vitet 1968- 1971 dhe ky model është dashuria ime e parë. Tani së fundmi kemi filluar të bëjmë restaurimin e fiços, me çka dhe lindi shoqata e dashamirësve evropianë të këtij modeli. Aktualisht kemi 980 anëtarë të regjistruar dhe shoqërimi që për motiv ka fiçon, është gjëja më e bukur e cila më ndodh së fundmi”, tha Çerimagiq.

Automjetet e ekspozuara në Bashçarshi tërhoqën vëmendjen e qytetarëve, ku spikati modeli i ardhur nga Sllovenia që kremton 63 vjetorin. Ishte ekspozuar edhe modeli 600D nga viti 1961, të cilin në atë kohë e përdorte edhe milicia e Jugosllavisë.

“Kanë ardhur pjesëmarrës nga Zvicra, Gjermania, Austria, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia. Ka 63 automjete dhe rreth 200 pjesëmarrës. Automjeti më i vjetër është nga Sllovenia, prodhuar në vitin 1955. Është 63 vjeç. Fiçoja e parë është prodhuar në vitin 1955 dhe sot është 63 vjeç“, tha Çerimagiq.

Fiati 600, për herë të parë u prezantua në panairin e Gjenevës në vitin 1955.

Zastava e ish-Jugosllavisë po të njëjtin vit filloi ta prodhojë modelin 600, me licencë të Fiatit dhe më vonë modelin 750 të cilin e prodhoi deri në vitin 1985.

Në rajonin e ish-Jugosllavisë ky model njihej me nofkën “fiço”.