Bentley Bentayga thyen rekordin e SUV-ave, së shpejti sjell modelin e ri të veçantë

Bentley Bentayga thyen rekordin e SUV-ave, së shpejti sjell modelin e ri të veçantë

25 qershor 2018 14:46

Bentley ka kryer me sukses pjesëmarrjen e sivjetshme në garën e Kolorados, e cila është e gjatë 19.98 kilometra dhe e cila ka 156 kthesa.

Rhys Millen ishte shoferi i modelit standard Bentayga në këtë garë, i cili për 10 minuta e 49,9 sekonda (me një shpejtësi mesatare prej 107 km/h), ka thyer rekordin për veturat SUV, transmeton Koha.net. Deri tani, rekordin e ka mbajtur Paul Dallenbach, i cili në vitin 2014 këtë garë e ka kaluar për 12 minuta e 35.6 sekonda me Range Rover Sport.

Bentayga për garën në Pikes Peak ka pësuar disa modifikime, duke përfshirë ulëset e përparme më të lehta (të pasme janë larguar), elementet për siguri, sistemin anti-zjarr, sistemin e shkarkimit të gazrave Akrapoviç dhe goma të veçanta Pirelli.

Për të shënuar këtë sukses, Bentley tashmë ka përgatitur një model të veçantë, Bentayga Pikes Peak i cili do të prodhohet në një seri të kufizuar prej vetëm 10 njësish.

Bentaygan Pikes Peak, blerësit në Europë dhe Amerikë do të mund ta porosisin deri në muajin gusht, por çmimi i tij tani për tani ende nuk është zbuluar.

Për krijimin e Bentaygas Pikes Peak është përgjegjëse divizioni Mulliner, i cili për këtë model ka parashikuar dy ngjyra për eksterierin (të zezë Deep Beluga dhe Radium), set të rrotave dy-ngjyrësh nga alumini me diametër prej 22-inç, paketën “Black Specification”, logon “Pikes Peak” në mbrojtësit anësor të përparmë, përcjell Koha.net, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave, paketën “Touring Specification”, lëkurë Beluga dhe Alcantara, detajet “Key Line” për interier, si dhe hartën e garës e cila është e gravuar në panelin e përparmë nga fibra të karbonit.

Gjithashtu, Bentley Bentayga Pikes Peak do të vijë me motor 6.0-litër W12, në kombinim me marshin automatik ZF me tetë shpejtësi dhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme