Veturat koreane marrin primatin

Veturat koreane marrin primatin

22 qershor 2018 09:48

Prodhuesit koreanë të makinave, Genesis, Kia dhe Hyundai, kanë lënë pas markën gjermane Porsche, duke zënë 3 vendet e para në një studim vjetor të bërë nga kompania e hulumtimit të tregjeve, J.D Power. Linja luksoze e zotëruar nga Hyundai, Genesis, zuri vendin e parë, me vetëm 68 probleme të raportuara për 100 automjete, ndjekur nga Kia dhe Hyundai. Treshja ka zënë vendin e liderëve japonezë, përfshirë Toyota dhe Honda, ndërkohë që këto të fundit kanë rënë poshtë mesatares në “Initial Quality Study” për vitin 2018, që shërben si referencë për cilësinë në këtë industri.

Studimi bazohet në sondazhe drejt konsumatorëve pas 90 ditësh të zotërimit të një automjeti të ri. Në total, siguria është përmirësuar për pjesën më të madhe të modeleve të makinave në tregun amerikan. Mesatarja e problemeve të raportuara për 100 makina ka rënë me 4 nga viti i kaluar, në 93. Pjesa më e madhe e defekteve të raportuara janë çështje të lidhura me pjesët elektronike.

“Problemet mekanike nuk janë më aq të përhapura sa ç’kanë qenë. Çështjet e lidhura me pajisjet për zbavitje si sistemi i audios dhe videos, përbëjnë fushën më të madhe të problemeve në një automjet. Këto gabime të dizejnimit i shqetësojnë më shumë konsumatorët se prishja e makinës”, theksohet në studim. Markat koreane dhe Porsche kanë renditjen më të lartë, për shkak se i kanë mbajtur sistemet elektronike më të thjeshta duke shmangur kompleksitetin që sjell dështime në software.

Kia, që zotërohet në masën 34% nga Hyundai, rezultoi në vend të 2-të, me 72 probleme për 100 automjete, ndjekur nga Hyundai me 74, që kishte më pak probleme se Porsche. Nga ana tjetër, Land Rover renditet në vend të fundit me 160 çështje të raportuara, ndjekur nga Jaguar dhe Volvo. Markat kryesore të Daimler dhe BMW, që kanë pajisje komplekse elektrike, kanë fituar eksperiencë në limitimin e tyre. BMW dhe Benz rezultuan sipër mesatares së industrisë. Sipas studimit, gjigantët japonezë si Toyota dhe Honda, kanë humbur pikë për shkak të ankesave mbi pajisjet elektronike, pavarësisht sigurisë së madhe të ofruar nga ana mekanike.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme