Arbëri

Thaçi i kërkon shefit të INTERPOL-it anulim të fletarresteve të Serbisë

Descriptive Text

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih ka zhvilluar një takim me Sekretarin Gjeneral të INTERPOL-it, Jurgen Stock.

Në këtë takim është biseduar për mundësinë e pranimit të Kosovës në këtë organizatë, si dhe për mënyrën e thellimit të bashkëpunimit me INTERPOL-in.

Thaçi ka thënë se Kosova plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në INTERPOL.

“Ne kemi nevojë për INTERPOL-in, por edhe INTERPOL-i ka nevojë për Kosovën, për informim sa më të shpejt”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock, ka theksuar se INTERPOL-i është i hapur për Kosovën dhe pret të përfundojnë procedurat e brendshme për të filluar shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim.

Me Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, presidenti Thaçi ka diskutuar edhe për çështjen e ndalimit të shtetasve të Kosovës me fletarrestime të Serbisë, duke thënë se “fletarrestet e tilla janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht”.

Presidenti Thaçi nga sekretari i INTERPOL-it ka kërkuar që të gjitha fletarrestet politike të Serbisë të anulohen.