Arbëri

Kthimi në rigjykim i rastit “Drenica 1” mund ta lirojë Sylejman Selimin

Gati pesë vjet pas ngritjes së aktakuzës dhe aktgjykimeve në tri shkallë, Gjykata Supreme ka kthyer në rigjykim - nga e para - rastin “Drenica 1”.

Gjykata ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke vërtetuar pretendimet e mbrojtjes për shkeljen e procedurave ligjore në caktimin e Anna Adamskas, në përbërjen e turpit gjykues – nga kryetari i këtij trupi, Dariusz Siellicki, raporton KTV.

Sipas Tomë Gashit, avokat i të dënuarit në këtë rast, Sylejman Selimi, këtë vendim të Supremes e kanë marrë në ditën e fundit të mandatit të EULEX-it.

Ndikim pozitiv në arsyetimin prej 35 faqesh, sipas Gashit, kanë pasur edhe deklaratat e ish-kryesuesit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons.

Ai insiston se të gjitha vendimet dënuese në këtë rast, janë marrë me dëshmi jokredibile.

Ndërsa, shton se edhe vendimi i fundit për rigjykim është i mangët derisa klientit të tij nuk i hiqet masa e vuajtjes së dënimit.

Ky vendim i vonuar, sipas tij, dëshmon pafajësinë e ish komandantit të Shtabit të Përgjithshëm te UÇK-së, Sylejman Selimi, dhe të tjerëve.

Më 2015, Kohavisioni kishte raportuar për parregullsitë procedurale në caktimin e Anna Adamskas pjesë e panelit gjykues në këtë rast.

Kryetari i trupit gjykues, Dariusz Siellicki, kishte kaluar 2 gjyqtarë që ishin në radhë për t’u caktuar në këtë panel, duke caktuar pjesë të trupit, Adamskan – me të cilën ishte në lidhje atë kohë.

Në korrik të 2017-s, Gjykata Supreme kishte liruar nga akuzat Sami Lushtakun, i kishte ulur dënimin me burgim në 8 vjet - Sylejman Selimit dhe vërtetuar dënimin e mëparshëm prej 5 vjetësh burgim, Jahir Demakut.