Arbëri

Limaj: Nisma ka zgjedhur gjuhë bashkëpunimi edhe me kundërshtarët për ta çuar Kosovën përpara

Descriptive Text

Kryetari i Nismës Social Demokrate të Kosovës, dhe ish-ministër i transportit nga radhët e PDK-së në Qeverinë e vitit 2007, sot mori pjesë në hapjen e punimeve të Kuvendit të Nismës Socialdemokrate në Skenderaj.

Ai tha se me punën e tij kishte larguar 97 për qind të fshatrave në Skenderaj nga balta, duke shtruar rrugët. Të tjerët, siç thotë ai, kanë bërë fushatë dhe kanë marrë vota me punën e tij.

“Unë ndihem mirë që jam në Skenderaj në një qytet dhe një komunë, që kur kam ardh në qeverisje në 2007-n, si ministër i Transportit, 97 për qind e fshatrave të Skenderajt kanë qenë në lloq. Dhe kur kam dalë në 2008-n, 98 për qind të fshatrave të Skenderajt kanë qenë të asfaltuara. Ka shumë që kanë marrë vota me këto punët e rrugëve”, ka thënë Limaj, transmeton kosovapress.

Sipas Limajt, vetëm të bashkuar dhe duke e parë atdheun si tërësi, si komplet, atëherë ka pasur rezultat.

“Ky ka qenë vizioni i ushtarëve të UCK-së, kudo edhe në Skenderaj. Në fund të fundit ky ka qenë vizioni i komandantit legjendar të UÇK-së për të çliruar jo vetëm Kosovën por edhe përtej saj, dhe ne si ushtarët e tij e kemi përqafuar këtë vizion, drejt lirisë e pastaj drejt ndërtimit të shtetit të Kosovës. Në Skenderaj si në çdo qytet tjetër në Kosovë, dhe këtë kanë dashur ta themi edhe para katër viteve edhe themeluesit tanë para katër viteve këtu, në çdo fshat dhe lagje e rrugë e Kosovës është e jona. Nuk ka pronë të askujt, sa jeni ju të Skenderajt aq jam edhe unë i Skenderajt. Dhe këtë kemi dashtë me thane me tregu që vendi ynë është i të gjithëve, e tani ne dallohemi se kush punon mirë e kush punon keq. Kush e ka me zemër e kush e ka me hile, ata e vendos populli, nuk jemi ne ata që e vendosin”, ka thënë Limaj.

Ish-deputeti dhe ministri nga radhët e PDK-së, që tash udhëheq me partinë që doli nga ndarja e PDK-së para katër viteve, po ashtu tha se nuk ka hyrë në politikë për të mundur askënd, por për fitoren e Kosovës.

“Ne jemi dalë këtu për të ofruar e bashkuar njerëz të mirë, djem të ri e vajza të reja të cilët nuk kanë pasur mundësi me dhanë kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit edhe me shfrytëzua rastin dhe me ju shpreh mirënjohje të gjithë themeluesve të Nismës këtu, atyre djemve dhe vajzave që nuk e kanë pasur lehtë para katër viteve me ne si vizion politik. Ne duam që djemve dhe vajzave tona t’i japim mundësi për punë dhe ata të shpalosen mbi bazën e talentit të tyre e të kenë mundësi të shprehin të gjithë atë talent e energji pozitive që duan të shfrytëzojnë për të zhvilluar vendin e tyre, për qytetin e tyre. Ne siç thashë asnjëherë nuk kemi hyrë në garë për të mundur të tjerët, ne kur ka qenë koha i kemi mundur ata që është dashur t’i mundim. Ne jemi këtu për të fituar Kosovën, prandaj jemi të bashkuar kështu”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se dallimet duhet të bëhen mes atyre që duan të punojnë dhe atyre që nuk duan të punojnë. Derisa ka vlerësuar se Nisma ka zgjedhur një gjuhë të bashkëpunimit e komunikimit edhe me kundërshtarët politik. Sipas tij me sharje dhe mashtrime nuk qohet vendi përpara. Në fund, ai tha se nuk mund të priten zgjidhje nëse voton në krye me njerëz që nuk kanë politika njerëzore e moral.

Kuvendi i Nismës, ka vazhduar punën duke zgjedhur anëtarët për Komisionin verifikues si dhe ka vazhduar punimet me dyer të mbyllura për media.