Arbëri

“El Observador” thërret për zbulimin e kanionit idilik të Shqipërisë

Në jug të Shqipërisë ndodhet një vend krejtësisht i izoluar nga civilizimi dhe që është ideal për adhuruesit e turizmit të aventurës, shkruan gazeta uruguajane “El Observador” në faqen e saj të internetit.

Natyra mahnitëse e Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuarit pas aventurave, që kërkojnë argëtim dhe emocione të forta sikurse mund të ofrojë raftingu, një sport për ata që adhurojnë ujërat e rrëmbyer dhe që mund të praktikohet në kanionin idilik të lumit Osum.

I krijuar rreth tre milionë vite më parë në rajonin jugor të Skraparit, i ashtuquajturi “Grand Canyon” i Kolorados shqiptare, është krejtësisht i izoluar nga civilizimi dhe e vetmja mënyrë për të vajtur atje është me varka.

Përgjatë një rruge prej 13 kilometrash dhe i rrethuar nga shkëmbinj 100 metra të lartë, praktikuesit e rafting kalojnë nëpërmjet shumë ujëvarave dhe disa kryeveprave natyrore të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si “syri”, “dera e djallit”, “katedralja” apo “krokodili”.

“Në Itali kemi shumë lumenj ku praktikohet rafting, por veçantia e këtij lumi është kanioni, që i jep një bukuri të rrallë dhe i emocionon turistët”, thotë Efe Elia, guida i rafting, me origjinë nga Trento në Itali.

Ka tri nivele vështirësie që varen nga rrjedha e lumit sipas sezonit.

Në verë, ujërat e lumit bien dhe përgjatë shtratit të tij zhvillohen ecje.

“Më pëlqeu shumë, është një eksperiencë speciale sepse kombinon sportet me natyrën, nuk e dija që në Shqipëri kishim vende kaq të bukur”, tregon Blerina Raça, që ka ardhur këtu që nga kryeqyteti, Tirana, me një grup shokësh.

“Kam udhëtuar shumë në Europë, por nuk kam parë asgjë të ngjashme, ky kanion është unik”, thotë Kujtim Sallaku, një tjetër turist.

Gjatë komunizmit (1945-1991) askush nuk e dinte se aty kishte tunele me armë të fshehura.

Diktatori paranojak, Enver Hoxha, që izoloi Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës, ndërtoi tunele sekrete në këtë zonë malore për të pritur liderët e partisë dhe oficerët e lartë të ushtrisë, të cilët do të drejtonin luftën, nga këtu, në rastin e një pushtimi të mundshëm që nuk erdhi kurrë.

Eksplorimi i kanionit u bë i mundur falë pasionit të Zamo Spathara, një emigrant shqiptar që u kthye nga Italia në vitin 1999, pasi jetoi dhe punoi në vendin fqinj për tetë vite.

Spathara kujton se gjatë komunizmit, kur ishte i vogël, lundronte përgjatë lumit Osum me goma kamioni dhe më pas në Itali mësoi se është e mundur që të bëhej rafting dhe të praktikohej për turizëm duke gjeneruar edhe të ardhura.

Tani ai është president i Federatës Shqiptare të Raftingut dhe ka krijuar kompaninë e tij private, “Albania Rafting Group”, që ofron gjithashtu sporte natyrore se ecje në male, kajak, alpinizëm, mountain bike si dhe udhëtime me mushkë në malin i Tomorrit.

Numri i turistëve që praktikojnë rafting në Skrapar është në rritje, që po stimulon zhvillimin e një prej zonave më të thella të Shqipërisë.

Vitin e kaluar, 10 000 turistë vizituan këtë rajon, mes të cilëve kishte italianë, francezë, gjermane dhe nga vendet nordike, 5 000 prej të cilëve praktikues të rafting.

Turizmi natyror është marka e re e Shqipërisë turistike, që vitin e kaluar u vizitua nga pesë milionë turistë të huaj.