Arbëri

Kurteshi: Puna efektive e një punëtori në administratë është 1 orë e gjysmë

21:20 - Përpjekjet për reformë shtetërore, deputeti i LVV-së, Sami Kurteshi, i quan vetëm përpjekje për hir të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

“Me atë konceptin e njohur ta ndërtojmë imazhin tonë”, theksoi Kurteshi.

“Administratë shtetërore unë quaj tërësinë e njerëzve që paguhen nga buxheti shtetit. Në administratën shtetërore në Kosovë, përmes rekrutimit të njerëzve, zënies së vendeve të punës dhe mungesës së kritereve themelore, në vit Kosovës i shkojnë huq rreth 200 milionë euro në vit, i humb Kosova”, ka thënë ai.

Kurteshi kërkoi që të bëhet matja e efikasitetit.

“Edhe a dini çka del në Kosovë, puna efektive mesatare për një person nuk është më shumë se 1 orë e gjysmë gjatë 8 orëve”, ka thënë ai.

Tutje Kurteshi foli edhe për pabarazinë në paga duke përmendur drejtorin e BQK-së.

“Ai merr pagë trefish më të madhe se paga e tanishme e kryeministrit”, ka thënë ai.


Tahiri garanton se do të eliminohen padrejtësitë në paga në sektorin publik

Image

21:09 - Duke folur për pakon ligjore ku përfshihen pagat, zyrtarët publikë dhe administrata shtetërore, Besnik Tahiri, koordinator nacional për reforma shtetërore, në Rubikon të KTV-së, u shpreh i bindur se ky ligj garanton nivelizimin e pagave.

“Garantojmë që vija hierarkike e institucioneve dhe nivelizimit të pagave, sepse ky nuk është ligj për rritje po për nivelizim”, ka thënë ai.

“Ku ka në botë që drejtori i buxhetit të Kosovës që i menaxhon 2.1 miliardë euro me pas rrogën 564 euro e një asistente apo asistent me pas 1500 euro”, shtoi tutje Tahiri.

Këto padrejtësi nuk janë as në Afrikë, ka thënë më tej ai.


Yagcilar komenton vendimin e kryeministrit për paga: Ka mund të bëhet ndryshe

Image

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcılar, në Rubikon të KTV-së, ka folur rreth pakos ligjore që rregullon administratën publike, përkatësisht për projektligjin e organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore, projektligji për zyrtarët publikë dhe projektligji për pagat.

Ministri Yagcilar tha se karakteristikë e kësaj pakoje ligjore është gjithëpërfshirja si përnga rregullimi edhe nga aspekti i homegjenozimit për fushat e lartëcekura.

“Ligji për organizimin e administratës shtetërore dhe agjencitë e pavarura krijon organizimin e institucioneve shtetërore, sidomos në nivelin qendror përderisa ligji për zyrtarët publik krijon obligime dhe përgjegjësi edhe të punonjësit ndaj shtetit edhe shtetit ndaj punonjësit”, ka thënë ai.

Ministri bëri të ditur se në fund të muajit qershor ligji do të dërgohet në qeveri.

“Brenda një jave ose dy jave nëse aprovohet në qeveri. Sipas MSA-së do të ishte ideale që në fund të shtatorit të aprovohet edhe në Kuvend”, u shpreh ai.

I pyetur për vendimin e kryeministrit Haradinaj për paga, Yagcilar ka thënë se ndonëse nuk është kundërthënës, ka mund të bëhet ndryshe.