Arbëri

Mustafa uron Fitër Bajramin

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë ju uroj përzemërsisht përmbylljen me devotshmëri të muajit të shenjtë të Ramazanit. Paqja, mirëqenia e harmonia mbizotërofshin në të gjitha familjet dhe në shtetin e Kosovës. Urime Festa e madhe e Fitër Bajramit!”, ka shkruar Mustafa.


19:19 Haradinaj uron Fitër Bajramin

Urime festa e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë, ka thënë Haradinaj.

“Në këtë festë, që përhapë frymën e përmbushjes së qëllimit të sakrificës, uroj të jemi të bashkuar në jetësimin e mesazheve për paqe dhe tolerancë, për ta ruajtur besimin në vlerat kulmore, ka shkruar ai.


18:35 Vetëvendosje uron Fitër Bajramin

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar besimtarët myslimanë të cilët nesër festojnë Fitër Bajramin.

Kjo festë, thonë se shënon kulmin e devotshmërisë njëmujore dhe mëson se rruga e drejtë e njeriut është bashkëndienja me nevojtarin.

“Le të jetë kjo një ditë përkujtimi mbi vlerat e përbashkëta dhe të përhershme për të gjithë”, thuhet në urimin e tyre.

Urimi i plotë:

Me fat Fitër Bajrami!

Si përmbyllje e muajit të Ramazanit, muaj ku mbizotërojnë vlerat si vetëpërmbajtja e sakrifica përmes agjërimit, solidariteti e përkushtimi për njëri - tjetrin, e kujdesi për nevojtarët, besimtarët myslimanë nesër festojnë festën e Fitër Bajramit.

Fitër Bajrami shënon kulmin e kësaj devotshmërie njëmujore dhe na mëson se rruga e drejtë e njeriut është bashkëndienja me nevojtarin, dashuria për njëri-tjetrin, sakrifica për të përbashktën dhe shtrirja e dorës së ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë.

Simbolika e kësaj dite mbart mësimin se rrugëtimi ynë jetësor merr kuptim vetëm nëse arrijmë të lartësojmë për të gjithë e bashkërisht, barazinë e drejtësinë, mirëqenien e përkujdesin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë! Le të jetë kjo një ditë përkujtimi mbi vlerat e përbashkëta dhe të përhershme për të gjithë! Ndërsa përkushtimi ndaj njëri-tjetrit dhe sakrifica le të lartësohen përherë e kudo, si element i domosdoshëm për vetëpërmbushje dhe shoqëri të mirëfilltë. Gëzuar!


18:24 - Thaçi u uron besimtarëve myslimanë Fitër Bajramin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar në Facebook besimtarët myslimanë, të cilët nesër festojnë Fitër Bajramin.

Ai ka thënë se me të përfunduar muaji i shenjtë i Ramazanit, vjen Bajrami, një muaj me devotshmëri e fisnikërim shpirtëror.

“Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, një muaji me përplot përkushtim, adhurim, devotshmëri dhe fisnikërim shpirtëror, vjen edhe festa e Fitër Bajramit. Besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë, duke ju dëshiruar sa më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe mirëqenie në familjet e tyre. Qytetarët tanë, pa dallime etnike dhe fetare, çdoherë e më shumë po i forcojnë dhe kultivojnë vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes”, ka shkruar Thaçi.