Arbëri

Pensionistët ndihen të mashtruar nga qeveria

Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Hasan Berisha, ka thënë se ligji për pensionet nuk po respektohet nga qeveria e Kosovës.

Në “Express Intervistën” në KTV, Berisha ka thënë me pensionet aktuale në Kosovë, pensionistët në shumicë nuk mund të dalin as nga pragu i varfërisë.

“Edhe 17-18 vjet pas çlirimit, pensionet nuk janë zgjedhë ligjërisht siç duhet. 16 gjenerata kanë shkuar pa e realizuar pensionin e fituar me djersë e mund. Siç e dini pas çlirimit, UNMIK-u kishte caktuar ndihmë sociale 28 euro, 45, 75, 80 e 112. Më 2014, erdhi një ligj për skemat pensionale që edhe ashtu s’ka performancë të mirë juridike, por sado pak e zbuti drejtësinë në pensione. Por tek më 2016 nisi implementimi dhe atë me kategorizim të pensioneve ku si çelës për ndarjen e lartësisë së pensioneve merret shkalla e arsimimit. Qeveria s’ishte e gatshme që të caktonte pensionet në bazë të kontributeve, prandaj ka padrejtësi të mëdha në shkalla arsimore. Më në fund mund të them se më 2016 u arrit një nivel sado kudo i kënaqshëm dhe pensioni mesatar i pensionistëve kontribues është 172 euro. Më i larti është 230 euro. Me 172 euro po supozojmë se një pensionist e ka edhe bashkëshorten dhe ajo i merr 75 euro. Të dy pensionet nuk janë të mjaftueshme as për mbulimin e shpenzimeve ditore, sa janë të përcaktuara nga Banka Botërore”, ka thënë ai duke shtuar se në shumicë pensionistët përfitojnë nga solidariteti familjar.

Berisha ka thënë se pensionistët ndihen të mashtruar nga qeveria aktuale, pasi gjatë zgjedhjeve kishin nënshkruar marrëveshje me koalicionin PAN, që më pas fitoi dhe po udhëheq qeverinë, për rritje të pensioneve.

“Pasi koalicioni PAN na ishte ofruar, ne për t’i mundësuar prezantimin e programit kemi organizuar një bisedë dhe kemi pasur marrëveshje me katër pika që s’është realizuar asnjëra. Ka qenë e paraparë që rritja e pensioneve për 2018 të jetë për 20-30 për qind. Edhe në dhjetor me kohë kemi reaguar, kemi vizituar organet kompetente. Kryeministri na ka prit mirë, dhe na ka premtuar se nëse dikujt i rritet rroga për 1 cent, do të rriten pensionet. Por siç duket kanë harruar. Pensionistët e dimë se buxheti, fondi i mjeteve mundet të ndahet më drejtë. Kërkojmë drejtësi sociale dhe kërkojmë të drejtat tona sepse kemi ndarë kontributet nga të ardhurat tona për pensione që të kemi siguri sociale deri në vdekje. I kemi shkruar qeverisë, Kuvendit, kryeparlamentarit dhe ministrive përkatëse, fatkeqësisht nuk reagojnë. Ndoshta s’kanë mjete. Por e vërteta është se e neglizhojnë këtë kategori”, ka deklaruar më tej Berisha.

Ai ka thënë se pensionistët nuk kanë vullnet të protestojnë sepse nuk e shohin këtë si rrugën e qëlluar, ndërsa ka shtuar se si pasojë e kushteve të rënda ka të evidentuara edhe raste të vetëvrasjeve te pensionistët.

Berisha ka thënë se pensionistët megjithatë presin rritje, “sepse kjo u takon me ligj”.

“Ligji aktual për skemat pensionale e obligon qeverinë që çdo fundvit të vlerësojë pensionet deh të përcaktojë rritjen pozitive në bazë të kritereve të paracaktuara. Më 2017 nuk është rritur asnjë cent. U kemi dërguar letër të gjithë deputetëve dhe u jemi lutur që si organi më i lartë të mbikëqyrin se shumë nene nuk po zbatohen nga qeveria. Kemi lyp 4 ose 4 e gjysmë për qind siç po parashikohet rritja. Kemi lypur në kuadër të mundësive reale”, ka shtuar ai.

Berisha po ashtu ka thënë se pensionistët kosovarë e kanë të pamundur të marrin pensionet nga Serbia me ndonjë vendim të Gjykatës së Strasburgut dhe se pensionistët vetëm po mashtrohen lidhur me raportimet se të tjerët po përfitojnë.

“Fatkeqësisht, tema është konsumuar dhe ka shumë të pavërteta. Po e them një të vërtetë që nuk ekziston kurrfarë vendimi i Strasburgut për pensionistët e Kosovës. Disa juristë po e nxjerrin në mënyrë analoge një vendim të një familjeje që ka punuar në Mitrovicë e me nënshtetësi serbe e që ka jetuar në Novi Pazar. Atyre u është lëshuar një vendim se ju kanë shkelur të drejtat si pakicë boshnjake në Serbi. Juristët thonë analogjikisht se nëse atyre u është pranuar duhet edhe neve dhe dalin me shifra. Me një vendim të Serbisë për të gjithë pensionistët nga Kosova, në ligjin 119 theksohet se nuk lejohen dy pensione të merren në të njëjtën republikë, pasi e konsiderojnë Kosovën pjesë të tyre. Ata disa kanë kërkuar të tërhiqen nga pensionet e Kosovës për të marrë atje. As nuk ka vendim, por ka vetëm keqpërdorime nga profiterë. Ne kërkojmë pensione nga shteti ynë aq më shumë nga viti 2008 kur jemi bërë shtet zyrtarisht”, ka deklaruar ai në fund.