SKE: Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” e rrezikon integrimin e Kosovës në BE

SKE: Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” e rrezikon integrimin e Kosovës në BE

14 qershor 2018 16:43

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (SKE) sot ka publikuar qëndrimin e tij zyrtar lidhur me nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

SKE, duke shprehur shqetësim të thellë me kushtet e kontratës, argumenton se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje rrezikon integrimin dhe marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Qëndrimi i SKE është në të njëjtën linjë me qëndrimin e KOSID rreth ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’. KOSID vazhdimisht ka ngritur shqetësimin se projekti ‘Kosova e Re’ jo vetëm që ka një kosto të pa përballueshme mbi 4 miliardë eurosh, por edhe do ta izolojë Kosovën nga integrimi kombëtar dhe rajonal dhe do të dëmtojë të ardhmen ekonomike, mjedisore dhe të integrimit të mbarë vendit”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.

KOSID: “Kosova e re” nuk i hap rrugë tranzicionit të energjisë në Kosovë

Sipas SKE, një numër i elementeve të kontratave të nënshkruara bie ndesh me ligjet e EU-së për Ndihmë Shtetërore, të cilat janë ndaluar me legjislacionin evropian.

Në letrën e sqarimit të pozicionit të tyre thuhet se ContourGlobal është i mbrojtur nga rreziqet komerciale siç janë: rreziku i prodhimit (duke përfshirë investimet dhe kostot variabile), rreziku i tregut (rreziku i kërkesës së përdoruesve të fundit dhe luhatjet e çmimeve), rreziku operacional (rreziku i çekuilibrit dhe planifikimi), rreziqet rregullatore dhe tatimore të tarifave të sistemit dhe tarifave dhe taksave të tjera, duke përfshirë taksat e ardhshme të karbonit, rreziqet e kredisë (rreziku i margjinës), etj. Kushtet e njëjta gjeneroze si ato që janë ofruar nën këtë marrëveshje për blerje të energjisë nuk mund të arrihen nën kushtet e tregut.

Përkundrazi, sipas SKE, rreziqet mbulohen nga Qeveria e Kosovës, nëpërmjet kompanisë publike (NKEC) – dhe përfundimisht përkthehen në kostot për furnizuesit dhe konsumatorët ose subvencione direkte dhe të vazhdueshme nga Qeveria – ndërsa ContourGlobal gëzon një marzhë fitimi të garantuar dhe pa rrezik.

“Sekretariati është gjithashtu i shqetësuar se marrëveshjet kontraktuale do të zvogëlojnë më tej kapacitetet e Kosovës për pjesëmarrje në tregun rajonal, duke përfshirë bashkimin e planifikuar të tregut me Shqipërinë," thuhet në letrën sqaruese të SKE.

Më tutje, SKE njofton po ashtu se marrëveshja asnjëherë nuk është sjellë para Komisionit të Ndihmës Shtetërore para nënshkrimit, që në vetvete është selia e Sekretariatit në Kosovë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet menjëherë nga ky projekt i dëmshëm dhe të udhëheq politika të sektorit energjetik që shikojnë nga e ardhmja, jo nga e kaluara. Në vend të nënshkrimit të kontratave miliardëshe për investime në teknologji të së kaluarës, i bëjmë thirrje Qeverisë të zbatojë masa të efiçiencës së energjisë, të promovojë potencialet e Kosovës në burime të ripërtrishme të energjisë dhe të bëjë hapa në liberalizimin e tregut dhe integrimin e tij. Vetëm kështu, ne do të mund të realizojmë me sukses tranzicionin, e pa alternativë, drejt një sistemi energjetik të pastër, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm”, përfundon sqarimi i tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme