Institucioni i BE-së për energji kritikon marrëveshjen për “Kosova e Re”

Institucioni i BE-së për energji kritikon marrëveshjen për “Kosova e Re”

14 qershor 2018 15:00

Sekretariati i Komunitetit për Energji sot ka kritikuar marrëveshjen në mes të Qeverisë së Kosovës dhe “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit të ri dhe marrëveshjen e lidhur me blerjen e energjisë në mes të këtyre dy palëve, duke thënë se kjo përbën ndihmë shtetërore, gjë që është në kundërshtim me rregullat për energji të Bashkimit Evropian (BE), transmeton KsP.

Ky institucion me bazë në Vienë ka thënë se “elemente të tjera potencialisht kritike në grupin e kontratave të përfunduara në dhjetor të vitit 2017 përfshijnë shmangie nga taksat dhe detyrimet doganore, garancitë shtetërore dhe transferimin/dhënien me qira të tokës nën çmimin e tregut”.

Sekretariati kishte ndarë shqetësimet me Qeverinë përmes një letre dërguar në 22 mars të këtij viti. Shqetësimet lidhen me kornizën kontraktuake për ndërtimin e termocentralit, dhe më së shumti me marrëveshjen për blerjen e energjisë të nënshkruar në dhjetor 2017.

Sipas ligjit për BE-së për energji, ndihma shtetërore është e ndaluar, me qëllim që të parandalohet që tregu i përbashkët i energjisë të shtrembërohet përmes avantazheve të dhëna nga burimet publike në ndërmarrje të caktuara.

Sekretariati vlerëson se marrëveshja e blerjes së energjisë për “Kosovën e Re” parashikon rreziqe, kryesisht të lidhura me operimin e një termocentrali tërësisht në favor të ContourGlobal. Kurse, ContourGlobal është i mbrojtur nga rreziqet komerciale siç janë: rreziku i prodhimit, i tregut, rreziqet rregullatore dhe tatimore të tarifave të sistemit dhe tarifave dhe taksave të tjera, rreziku i kredisë, etj, thuhet në faqen zyrtare të këtij komiteti, përcjell KosovaPress.

Kushtet bujare të ofruara përmes marrëveshjes për blerjen e energjisë, nuk do të mund të ishin arritur në kushtet e tregut. Kështu, përderisa “Contour Global” gëzon fitim të garantuar dhe pa rrezik, rreziqet përballohen nga Qeveria e Kosovës. Sekretariati është gjithashtu i shqetësuar se marrëveshjet kontraktuale do të zvogëlojnë më tej kapacitetet e Kosovës për pjesëmarrje në tregun rajonal, duke përfshirë bashkimin e planifikuar të tregut me Shqipërinë

Komiteti për Energji është një organizatë ndërkombëtare që sjell se bashku shtetet e BE-së dhe fqinjët e saj për të krijuar një treg pan-Evropian të integruar të energjisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme