Arbëri

Hahn konsideron se Shqipëria meriton hapjen e negociatave

Shqipëria ka përmbushur kërkesat për hapjen e negociatave të anëtarësimit, deklaroi komisioneri i BE-së për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard”.

Hahn vlerëson hapat e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria drejt perspektivës europiane si edhe frymën pozitive që ka përhapur në rajon zgjidhja e çështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë.

I pyetur në lidhje me frymën që është përhapur në rajon nga marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë Hahan u përgjigj se “për momentin ka një tronditje në rajon. Arsyeja ishte strategjia jonë mbi zgjerimin, që hap një prespektivë për të gjitha shtetet. Në Kosovë, u realizua marrëveshja e vështirë në lidhje me kufirin me Malin e Zi. Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruan një marrëveshje miqësie dhe ka gjithashtu negociata ende të hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ka një konkurencë pozitive, ku po hapen çështje që mund të ishin zgjidhur kohë më parë dhe përfundimisht po qartësohen. Nuk jemi euforikë, por sinjalet janë pozitive dhe zgjidhja për çështjen e emrit ka një rëndësi rajonale”.

Për sa i përket rezistencës që po bën Franca dhe Holanda në lidhje me vlerësimin pozitiv që ka dhënë Komisioni për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Hahn thekson se “procesi reformimit të drejtësisë në Shqipëri është në zhvillim të plotë. Reforma në drejtësi është një prioritet në Shqipëri. Kështu nga këndvështrimi ynë, Shqipëria ka përmbushur kërkesat për të filluar procesin e shqyrtimit. Bazuar në këtë mund të bëhen analiza në lidhje me etapat e hapjes së kapitujve”.

“Kam besim se Shqipëria, me frymën që vjen nga vendimi i Maqedonisë, mund të bëjë të njëjtën. Mundësia për reformim është më e lartë gjatë negociatave. Kam besim se Franca dhe Holanda do e shohin gotën gjysmë plot”, theksoi ai.

I pyetur nëse do të dëmtohej politika e europiane e kushtëzimit nëse Shqipëria nuk do të vlerësohej për reformën në drejtësi vetëm sepse disa vende të BE-së janë kundër zgjerimit, Hahn u përgjigj me vendosmëri: “Absolutisht po”.

“Gjëja më e mirë që kemi është kredibiliteti ynë. Kjo është diçka private gjithashtu, ti e humbet atë shpejt, por të duhet shumë kohë për ta rifituar. Kredibiliteti ynë është pjesë e zinxhirit tonë të vlerave. Nëse ne bëjmë një premtim dhe pala tjetër i përmbush kushtet, atëherë ne duhet t’i përgigjemi sipas pritshmërive. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të prekë edhe vendet e tjera në rajon”, theksoi komisioneri europian.