Haradinaj e di rëndësinë e investimeve në infrastrukturë

Haradinaj e di rëndësinë e investimeve në infrastrukturë

14 qershor 2018 12:50

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të segmentit të 3-të Bibaj-Doganaj, të autostradës R6 “Arbën Xhaferi”, të gjatë 11 kilometra.

Para të pranishmëve të shumtë, udhëheqësve institucionalë, ambasadorëve të akredituar në Kosovë, përfaqësuesve të kompanisë Bechtel & Enka, Haradinaj tha se gëzimi i sotëm është i përgjysmuar, sepse gëzimin e plotë do ta kemi së shpejti në përfundim të kësaj rruge, njofton kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.

“Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta dhe për buxhetin e Kosovës janë obligim i madh, por edhe efektin e kanë të madh në ekonominë e vendit”, tha ai duke shtuar se kjo infrastrukturë e ndryshon pozicionin e ekonomisë në raport me ekonomitë fqinje dhe ato më të largëta dhe investitorët që do të mundnin të investojnë në Kosovë.

Kryeministri tha se një parametër i rëndësishëm për investime, është koha, të cilën e shkurton infrastruktura e mirë.

“Kjo infrastrukturë, që do ta përmbyllim edhe në autostradë tjera të vendit, na pozicionon ne më mirë se shumë ekonomi të rajonit”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se është me rëndësi që Kosova të jetë e përgjegjshme dhe të mos dështojë në asnjë obligim në përfundimin e këtyre projekteve kaq madhore.

Kryeministri Haradinaj siguroi të gjithë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të këtyre projekteve duke qenë në nivel të obligimeve të marra, që të përmbyllen me sukses të gjitha projektet e nisura si dhe i uroi të gjithë punëtorët për punën që kanë bërë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se ky është segmenti i parafundit, i cili i paraprin përmbylljes së projektit të autostradës “Arbën Xhaferi”, si shumë domethënës për ekonominë, dhe lidhjen e tij me korridoret pan evropiane.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme