Cuoci thotë se FSK-së i duhet shumë punë për t’u transformuar në Ushtri

Cuoci thotë se FSK-së i duhet shumë punë për t’u transformuar në Ushtri

13 qershor 2018 20:09

21:16 - Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneralmajor, Salvatore Cuoci, në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka thënë se FSK-së i duhet ende shumë punë për trajnim ushtarak që të transformohet në Ushtri.

“Të kesh një ushtri është tregim i gjatë. Nuk është dicka që t’i mund të realizohet për një ditë apo vetëm duke miratuar një projektligj... në cfarëdo rasti kur vendimi të merret, ajo do të kërkoj më së paku 10 vite që të ketë një ushtri. Të kesh një ushtri nuk është vetëm cështje e tranzicionit apo transformimit. Është cështje e pajisjeve, trajnimeve, është cështje e rindërtimit të këtyre aftësive”, ka thënë Cuoci.

“Ata janë vërtet të aftë dhe unë kam parë shumë pak forca që janë vërtet të aftë të performojnë sic bëjnë këta. Kjo do të thotë se ata vërtet kanë vullnet që të jenë profesional dhe kjo është shumë mirë”, shtoi tutje ai. “Trajnimi për t’u bërë ushtri është krejtësisht ndryshe. Kjo nënkupton më shumë vështirësi, nënkupton padyshim më shumë para, buxheti duhet të jetë krejtësisht ndryshe dhe kjo nënkupton po ashtu aftësi të ndryshme edhe në armatim dhe të tjera gjëra të cilat janë shumë të kushtueshme. Pra nuk është aq cështje e vendimit sa është cështje e një proces afatgjatë. Madje edhe drafti i projektligjit po siguron se ky proces do të ndodhë në 10 vite”.

KFOR-i mbështet transformimin e FSK-së në Ushtri

Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Salvatore Cuoci, bëri të ditur se KFOR-i mbështet ndryshimin kushtetutes për mandatin e FSK-së.

“Padyshim ne mbështesim ndërrimin kushtetues, transformimin apo tranzicionit, cilido që duhet të jetë, nëse duhet të merret si vendim, ne e përkrahim ndërrimin kushtetutes. Kjo nënkupton se sido që të jetë ky proces është proces që është plotësisht i pranueshëm nga të gjitha palët, përfshirë këtu edhe minoritetet. Kjo është arsyeja pse NATO është duke përkrahur ndryshimin e Kushtetutës. Nëse ky nuk do të jetë rasti, qëndrimi i NATO-s do të rishikohet në nivelet më të lartë të aleancës, sigurisht”, tha ai në Rubikon të KTV-së.


“Serbia edhe pse e ka deklaruar neutralitetin e tyre, parimisht po kryen trajnimet me NATO-n”

21:25 - Serbia tashmë ka deklaruar neutralitetin karshi bashkimit të forcave të NATO-së.

Për këtë, komandanti i përgjithshëm i këtyre forcave në Kosovë, Salvatore Cuoci, në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka thënë se ata e respektojnë krejtësisht një qëndrim të tillë.

“Kjo nuk është diçka që e shqetëson NATO-n apo shtetet evropiane. Marrë parasysh se Serbia edhe pse e ka deklaruar neutralitetin e tyre, parimisht po kryen trajnimet me NATO-n. Kështu që, kjo nuk do të ngacmojë asnjë lloj të marrëdhënieve e NATO-n. Pastaj vendimi ka nevojë për kohë që të pjeket, sido që të jetë e ardhmja ne do të shohim, por për momentin ne jemi shumë të lumtur për deklarimin e neutralitetit nga Serbia. Çka është tjetër e rëndësishmë është që e ardhmja e Serbisë është me shumë gjasë në Evropë, si pjesë e Bashkimit Evropian dhe kjo nënkupton se të gjitha përpjekjet që ata po bëjnë për t’iu bashkuar BE-së është sepse ata mendojnë se e ardhmja e tyre është aty gjithashtu”, u shpreh ai.


KFOR po punon që të organizojë një turnir futbolli mes Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe atyre serbe

21:14 - Së fundmi në kampin e Bondsteel-it u mbajtë turniri futbollistik në mes të ushtrisë serbe dhe ushtarëve të KFOR-it, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur edhe një herë në vitin 2014.

Gjeneralmajor, Salvatore Cuoci ka thënë se e gjithë ideja është që të bëjnë së bashku Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe atyre serbe që të luajnë, të paktën, një lojë së bashku.

“Kohë pas kohë ne e bëjmë këtë për të rritur besimin. Ideja jonë është që sjellim të dyja palët, kosovarët dhe serbët të luajnë së bashku, të paktën një herë... Do të jetë një moment kur do ta bëjmë, por ka vullnet që kjo të ndodhë”, ka thënë ai.


Komandanti i KFOR-it flet për takimet me Lubisha Dikoviqin

20:45 - Gjeneralmajor, Salvatore Cuoci në një intervistë për Rubikon të KTV-së foli për takimet e tij me Lubisha Dikoviq, shefi i ushtrisë serbe, i cili është i akuzuar për krime lufte nga Qendra për të Drejtën Humanitare.

Ai tha se nuk mund t’u shmanget këtyre takimeve përderisa nuk ka asnjë akuzë apo padi zyrtare ndaj tij.

“Pavarësisht nga deklarata, Dikoviq është ende në zyrën e tij. Mua më është thënë se ai u përball me deklaratën dhe në parim ajo nuk është konsistente tash... Ajo duhet të vërtetohet dhe nëse kjo bëhet atëherë ai do të jetë jashtë zyrës së tij, por në këtë kohë ai është në zyrën e tij dhe unë nuk mund të shmang takimin me të sepse ai aktualisht i përfaqëson forcat serbe dhe unë jam i obliguar që të kem kontakte dhe takime me të. Kjo është pjesë e marrëdhënieve që ne e kemi me të gjitha shtetet dhe jo me personat. Unë nuk jam duke u marrë personalisht me gjeneralin Dikoviq, por unë jam atje me të sepse ai është shefi i Forcave të Armatosura të Serbisë. Kjo është arsyeja pse unë jam duke pasur takim me të”, ka thënë ai.

Cuoci deklaroi se do të vazhdojë takimet me Dikoviqin dhe se mes tyre është raport i drejtë. Ai përmendi edhe ditën e arrestimit të Marko Gjuriqit, ku theksoi se kishin pasur edhe thirrje telefonike gjatë momentit kur ndodhi ngjarja.


Komandanti i KFOR-it thotë se Serbia s’ka mundësi të shkaktojë probleme në rajon

20:22- Për komandantin e KFOR-it nuk ka rëndësi numri i ushtarëve në ushtrinë serbe, por numri i shteteve që i përkasin aleancës së NATO-s.

I pyetur se çka nëse Serbia, me më shumë se njëqindmijë trupa, do të provonte të hynte në Kosovë, a do të mjaftonin pesë mijë ushtarët e KFOR-it, gjeneralmajor Salvatore Cuoci ka përmendur faktin se prapa ushtarëve të KFOR-it qëndrojnë 29 shtete.

“Kjo do të ishte katastrofale dhe do të na kthente para 20 vjetësh dhe pa ndonjë zgjidhje mes Prishtinës e Beogradit dhe gjithë rajonin. Kështu që, mendoj se kjo është diçka që s’do të mund të ndodhte, dhe nuk do të duhej të ndodhte, sepse është jashtë çdo mundësie reale”, ka thënë ai.

“Nuk është çështje numrash, ushtarësh ...është çështje e gatishmërisë. Është edhe çështje e asaj se çfarë nënkupton numri prej pesëmijë ushtarëve të tjerë...Ne duhet të konsiderojmë se pas këtyre ushtarëve qëndron NATO, janë 29 shtete deri më tani dhe ekziston vullneti e përkushtimi për të qenë këtu, dhe nuk është çështje e konfrontimit në terren. Është çështje e asaj se çfarë do të ndodhë më pas... Kjo është arsyeja përse e konsideroj joreale mundësinë që Serbia të shkaktojë probleme në rajon, sepse nuk ka kuptime për disa arsyeje. E para është kthimi në të shkuarën. Kthimi i këtij rajoni në kohën e para 20 vjetëve nuk është në dobi të askujt dhe kjo do të ishte çmenduri”, shtoi tutje ai.


Cuoci: Papunësia rrezikon sigurinë e Kosovës

20:12 - Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, gjeneralmajor, Salvatore Cuoci, komandant i përgjithshëm i KFOR-it, theksoi se papunësia rrezikon sigurinë e vendit.

“Në secilin shtet, jo vetëm në Kosovë, kudo që ka nivel të lartë të papunësisë, njerëzit nuk janë të kënaqur, nuk janë të lumtur dhe kjo është arsyeja përse nga papunësia mund të kemi protesta, trazira dhe kjo është diçka për të cilën të gjithë duhet punuar për të parandaluar këtë fenomen”, shtoi tutje komandant Cuoci.

Ai ka thënë se shteti duhet të garantojë stabilitet duke u siguruar më shumë hapësirë përfshirjeje të rinjve dhe të hapë vende pune për ta.


Komandanti i KFOR-it sheh përmirësim të sigurisë në Kosovë

Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneralmajor, Salvatore Cuoci në Rubikon të KTV-së kujtoi kohën kur para 19 vitesh, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë hyrë në Kosovë.

“Para 19 vjetësh, më 12 qershor, kishim 55 mijë ushtarë në terren, e sot zor që kemi 5 mijë. Situata po përmirësohet, andaj faza finale e kësaj situate është numri i trupave që KFOR-i ka në Kosovë. Ky është rezultat i mirë dhe mbështetet në arritjet e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve po ashtu”, nënvizoi ai.

Komandant Cuoci përmendi koordinimin e përhershëm me institucionet e Kosovës nuk theksuar se përgjatë këtyre viteve është rritur dukshëm.

“Po flas për policinë e vendit dhe FSK-në në veçanti, që janë në gjendje të menaxhojnë me katastrofa natyrore ose me çështje të mbrojtjes civile. Dhe, kjo është mirë. Në një anë, edhe pse institucionet kanë shtuar kapacitetet e tyre, mbesin disa sfida, e kjo është fakti pse KFOR-i është ende këtu”, ka thënë ai.

“Çka do që të prekë sigurinë e shtetit, po flas për faktorë ekonomikë apo socialë, papunësia, çka do që prek mjedisin, KFOR-i e merr këtë në konsideratë, andaj sfidat që do të mbesin në muajt e ardhshëm janë raportet me Serbinë, që ende ka telashe dhe duhet gjetur zgjidhjen për ta zgjidhur këtë, liberalizimi i vizave, korrupsioni, situata ekonomike, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, tranzicioni i FSK-së në Forcat e Armatosura, energjia po ashtu është problem. Si dhe përdorimi i simboleve. Të gjitha janë sfida”, shtoi tutje ai.

Në të gjitha intervenimet që kanë pasur deri tash, Cuoci theksoi se asnjëherë nuk ka ndodhur që të dështojë intervenuesi i parë dhe i dytë, e që janë Policia e Kosovës dhe EULEX-i, duke vazhduar me të tretin që është KFOR-i.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme