Vetëvendosje paralajmëron kallëzim penal ndaj Haradinajt dhe atyre që votuan për ngritje pagash

13 qershor 2018 19:04

Kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar do të mund të përballen me drejtësinë, pasi Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal për konflikt interesi ndaj tyre, raporton KTV.

Sipas deputetes Albulena Haxhiu, në kallëzim penal, pos ministrave që votuan për rritje të pagave të tyre, do të përfshihen edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese që nxorën vendimin në favor të qeverisë.

Këtë vendim, Vetëvendosje e ka quajtur skandaloz dhe veprim që i ka hapur rrugë padrejtësisë dhe abuzimit me paranë publike.

Ndërkaq, Avni Zogiani krahasoi pagën e kryeministrit Haradinaj me ata të vendeve të rajonit.Oda Ekonomike e Kosovës, ka ftuar ministrin e Financave, Bedri Hamza, që të mos e nënshkruajë vendimin për rritje të pagave, sepse sipas tyre, e dëmton edhe më shumë sektorin privat.

Por, ministri i Financave, Bedri Hamza, nuk ka dashur të flasë nëse do ta zbatojë ose jo vendimin për rritje pagash, që e kundërshtoi në mbledhjen e së martës të qeverisë. Kryeministri Haradinaj do të marrë pagën me rritje 2950 euro, në mënyrë retroaktive, që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Përveç tij, pagat me rritje do t’i marrin edhe kabineti qeveritar dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Të martën, qeveria e shfuqizoi vendimin për pezullim të rritjes së pagave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme