Arbëri

Hoti e quan shtetin jofunksional në shumë forma, kërkon mbështetjen qytetare për rrëzimin e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka vazhduar kritikat ndaj koalicionit qeverisës në vend.

Sipas Hotit, koalicioni qeverisës i, siç e quan ai, “vendimeve të mëdha”, është jo funksional, por mbahet në këmbë sepse interesat e partnerëve janë të mëdha

“Këto interesa po realizohen përmes buxhetit të shtetit, i cili është kthyer në plaçkë përmes vendimeve jo ligjore të Qeverisë. Mbledhjet e Qeverisë mbahen për të marrë vendime për realizimin e interesave specifike të partnerëve të koalicionit. Nëse nuk harmonizohen interesat para mbledhjes së Qeverisë, atëherë ministrat e asaj partie nuk marrin pjesë në mbledhje”, tha Hoti.

Tutje, ai theksoi se partneri i koalicionit nga komuniteti serb nuk e përfill kryeministrin Ramush Haradinaj dhe se Ministrat e këtij partneri nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë dhe në Kuvend, por në zyrë shkojnë çdo ditë.

“Interesat e tyre po i realizojnë me taksat e qytetarëve të Kosovës”, shtoi Hoti.

Më tej shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se Kuvendi i Kosovës është bërë arenë përplasjesh të kota.

“Menaxhimi katastrofal i seancave dhe trupave të Kuvendit e ka paralizuar këtë institucion. Kuvendi sot nuk e kryen detyrën e vet kushtetuese si mbikëqyrës i punës së Qeverisë. Kryeministri dhe ministrat nuk paraqiten në raportim”, deklaroi Hoti, raporton Koha.net.

Madje, Hoti pati kritika edhe për presidentin e vendit, Hashim Thaçi. Ai tha se kreu i shtetit e ka bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga data 27 mars 2018, duke mos emëruar anëtarët e rinj siç e parasheh Kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

Zyrtari i LDK-së ka kërkuar sërish mbështetjen qytetare për të, siç tha ai, “hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike që po vjedh të ardhmen e gjeneratës së ardhshme”.

“Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse. Na duhet mbështetje e madhe qytetare për të hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike që po vjedh të ardhmen e gjeneratës së ardhshme”, theksoi në fund Hoti.