Arbëri

OAK kërkon nga MASHT-i përkrahje për aftësimin e personave me sindromën DOWN

Oda e Afarizmit të Kosovës sot gjatë një takimi me zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Heset Sahiti dhe pedagogen Lulevera Kadriu, kërkuan përkrahje për iniciativën e profesor Besir Shaqirit në lidhje me projektin në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Profesor Shaqiri është i interesuar të bëjë një hulumtim në lidhje me “Relacionet ndërmjet disa parametrave antropometrik, funksional dhe motorik të fëmijëve me sindromën DOWN dhe trajtimin klinik të tyre”, ku me këtë rast prezantoi në detaje projektin dhe nevojën për përkrahje institucionale për të finalizuar këtë projekt.

Qëllimi i këtij hulumtimi është të identifikohen mundësitë që kanë të rinjtë e prekur nga kjo sindromë, të hyjnë në tregun e punës, punët të cilat janë të përshtatshme dhe lehtësisht të realizueshme nga ata dhe mundësitë e parandalimit dhe paralajmërimit të nënave për gjendjen shëndetësore të fëmijëve që mbajnë.

Numri dy i MASHT-it, Heset Sahiti mirëpriti iniciativën, duke thënë se do të japë maksimumin që kjo ministri të përkrahë brenda mundësive dhe hapësirës.

Duke pasur parasysh rëndësinë që ka ky hulumtim për personat e prekur nga sindroma DOWN dhe rrethin e tyre, OAK shpreson se MASHT do ta marrë seriozisht këtë rast.