Haradinaj takon zyrtaren e OKB-së, thotë se Kosova është e përkushtuar për anëtarësim në këtë organizatë

Haradinaj takon zyrtaren e OKB-së, thotë se Kosova është e përkushtuar për anëtarësim në këtë organizatë

12 qershor 2018 10:23

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ndihmës Sekretaren e Përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse në Kombet e Bashkuara, Bintou Keita, me të cilën bisedoi për temat e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova dhe progresin e arritur për këto dy dekada.

Me këtë rast, Kryeministri falënderoi OKB-në për rolin e tyre të rëndësishëm në fazat e hershme të shtetndërtimit dhe kontributin që kanë dhënë agjencitë që operojnë me këtë emër për shumë projekte dhe procese të rëndësishme për vendin.

“Roli i Kombeve të Bashkuara ka qenë i pazëvendësueshëm në etapat e para të shtetndërtimit dhe arritjes së paqes në vend. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe anëtarësimin e plotë në OKB”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu foli për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e demokracisë, si dhe për integrimin e plotë të komuniteteve jo shumicë në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se vendi ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në promovimin e paqes në rajon.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme