Të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri kërkohen në Dajt

Të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri kërkohen në Dajt

10 qershor 2018 23:10

Në Tiranë, qeveria miratoi këtë javë një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për të kërkuar dhjetëra trupa të vrarë nga diktatura komuniste.

Projekti i financuar nga Bashkimi Europian, do të nisë me identifikimin e mbetjeve të 13 trupave të pushkatuar nga diktatura në malin e Dajtit, të gjetura para 8 vjetësh, si dhe me kërkime të tjera në Dajt dhe në kampin punës së detyruar të Ballshit.

Zyrtari i lartë politik pranë ICMP, Luigj Ndou, thotë se ky është një hap i rëndësishëm për obligimet e Shqipërisë ndaj instrumentave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtës së familjes për të patur një hetim të efektshëm të rasteve individuale të zhdukjeve me forcë.

“ICMP është jashtëzakonisht e inkurajuar nga marrëveshja e arritur me qeverinë shqiptare, e cila i hap rrugën një procesi jashtëzakonisht në kohë dhe që ka të bëjë me identifikimin e viktimave të regjimit komunist në periudhën 1944-91. BE e financoi projektin dhe krahas mbështetjes financiare na ka dhënë edhe mbështetje politike”, thotë Ndou.

Fillimisht do të punohet me mbetjet e trupave që kanë mbetur prej 8 vjetësh në Institutin e Mjekësisë Ligjore, kërkime të reja në malin e Dajtit, ku u gjetën ato dhe ku janë bërë shumë ekzekutime të tjera.

“Mbetjet njerëzore të 13 trupave të pushkatuar nga regjimi komunist u gjetën në vitin 2010 dhe prej asaj kohe mbetën në Institutin e Mjekësisë Ligjore pa bërë asnjë identifikim me prokurorinë. Ky fakt i bën skeptikë veprimtarët, që po përpiqen të ndriçojnë krimet e komunizmit”, thotë Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Bazuar në të dhënat e autoriteteve për disa vendndodhje me trupa të pushkatuarisht, ICMP pritet t’i verifikojë zonat bashkë me zyrtarët shqiptarë për vendvarrimet e mundshme para se të nisin gërmimet.

Ekspertët e ICMP pohojnë se falë analizave të ADN-së, ata gjejnë në masën gati 100 për qind identitetin e viktimës dhe ua dorëzojnë familjarëve për një varrim të dinjitetshëm.

“Krahas kërkimit të trupave dhe identifikimit të viktimave, ICMP është angazhuar të ndihmojë edhe në ndërtimin e një regjistri kombëtar për gjithë personat e zhdukur gjatë regjimit komunist”, tha Ndou.

Drejtuesja e Institutit për për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, thotë se “deri tani organi shqiptar i akuzës nuk ka ndonjë përvojë me zbardhjen e krimeve të komunizmit apo raste të mëparshëm që të jetë marrë me identifikime të të pushkatuarve e të zhdukurve nga diktatura”.

Ekspertët nga ana e tyre kërkojnë bashkëpunimin e gjithë shoqërisë për të sjellë sa më shumë fakte dhe dëshmi mbi ngjarje dhe vendndodhje të krimeve komuniste.

Por mosbesimi i veprimtarëve bëhet më i madh kur mendon se bëhet fjalë për një numër të madh vendvarrimesh në shumë dekada.

ICMP është organizata e vetme në botë, që merret me personat e zhdukur. Ajo po punon në të gjithë kontinentet, ku ka persona të zhdukur si pasojë e konflikteve të armatosura si në Siri, Irak, Libi, etj.

Në Ballkan ICMP ka zbuluar mbi 70 për qind e personave të zhdukur nga konfliktet në ish-Jugosllavi.

Ky është një rekord i jashtëzakonshëm falë metodave shkencore dhe provave me adn.

VoA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme