Rasti “Pronto” nuk është prioritet i drejtësisë

Rasti “Pronto” nuk është prioritet i drejtësisë

09 qershor 2018 12:07

Rasti “Pronto” nuk është prioritet për Gjykatën Themelore , Kryeprokurori i PSRK-së thotë se kjo lëndë nuk i plotësoi kriteret për tu shënjestruar

As pas dy muajsh nga ngritja e aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk ka caktuar seancën fillestare në rastin “Pronto”, e ku akuzohen ish-shefat e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci e Zenun Pajaziti, ministri i Inovacionit e Ndërmarrësisë, Besim Beqaj si dhe tetë zyrtarë të tjerë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, përpos Grabovcit, Pajaziti e Beqajt, ngarkon edhe ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziun, aktualisht këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefen e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj e ish-këshilltarin politik në MPB, Sedat Gashi.

Kjo gjykatë, nuk e konsideron me prioritet trajtimin e kësaj lënde, pavarësisht se aktakuza është ngritur më 6 prill të vitit 2018, pasi që kjo lëndë nuk është e shënjestuar për liberalizimin e vizave.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, përmes zëdhënëses së saj Mirlinda Gashi, ka thënë se aktakuza e rastit “Pronto”, nuk është lëndë me prioritet sepse e njëjta nuk bënë pjesë në rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave.

“Ju njoftojmë se lidhur me lëndën penale PKR.nr.90/18,kundër të akuzuarit A.G, etj. ende nuk është caktuar seanca gjyqësore, pasi që Gjykata për prioritet ka pasur të procedojë lëndët e shënjestruara me shenjën LV, andaj edhe pse është lëndë që ka të bëjë me profil të lartë, e njëjta nuk është e shënjestruar“, ka thënë Gashi.

I pyetur se pse ky rast që është ndër më të mëdhenjtë që përfshinë njerëz të profilit të lartë, nuk është i shënjestruar për liberalizmin e vizave, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, ka thënë se ky rast nuk është shënjestruar, për shkak se sipas tij, nuk ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Nuk është në regjistrin e veprave penale të cilat duhet me i shenjestru, as nuk është në kapitull që duhet me i shenjestru, që janë për shembull korrupsioni, krimi i organizuar, trafikim me qenie njerëzore me armë, te ky rast nuk ka lidhje me keqpërdorim”, ka thënë Millaku.

Ndryshe, Kodi i Procedurës Penale, e detyron gjykatën kompetente që pas arritjes së aktakuzës në gjykatë, brenda 30 ditëve, të caktoi shqyrtimin fillestar, në të cilin do të lexohet aktakuza dhe të akuzuarit do të deklaroheshin se a e pranojnë ose jo fajësinë.

“Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues cakton menjëherë shqyrtimin fillestar, i cili duhet të mbahet brenda tridhjetë (30) ditëve pas ngritjes së aktakuzës”, thuhet në paragrafin 4, të nenit 242, të Kodit të Procedurës Penale.

“Betimi për Drejtësi”, ka raportuar më parë se kjo lëndë i është ndarë për trajtim gjykatësit Shashivar Hoti, i cili përpos që do të vendos se kur të caktohet shqyrtimi fillestar, paraprakisht duhet të vendos edhe për një kërkesë të mbrojtësit të Adem Grabovcit, avokatit Flrent Latifaj.

Latifaj, me anë të një kërkese ka kërkuar nga gjykatësi që këtë lëndë ta dërgojë në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj gjykate, sepse sipas tij, për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nuk është kompetent Departamenti i Krimeve të Rënda, por Departamenti i Përgjithshëm.

Latifaj, ka thënë se më 19 prill, gjykatësit Hoti i kishte drejtuar kërkesën që kjo lëndë të dërgohet për kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm.

Por, sipas zëdhënëses Gashi, gjykata ende nuk ka vendosur për kërkesën e mbrojtësit të Grabovcit.

“Gjykata në radhë të parë do të vendos lidhur me kërkesën e të akuzuarit A.G dhe pas çdo vendimi që do të merret, Gjykata do të vendos se si do të procedohet me tutje”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabvoci. Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Komentet

ardian11/06/2018 09:29

Rasti PRONTO nuk është prioritet i politikës së Hashimit, Kadrisë dhe Ramushit!

Shto koment

Të ngjashme