Arbëri

FSHF: Vokrri bëri gjithçka për futbollin e Kosovës

Federata Shqiptare e Futbollit në një telegram ngushëllimi ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohëshme nga jeta e kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

“Në emër të Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm z.Ilir Shulku, si edhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, komuniteti i Futbollit në Shqipëri përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohëshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithcka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të Futbollit në Kosovë”, thuhet në telegramin e FSHF-së.

“Kontributi i Presidentit Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe Futbollit të saj, në Europë dhe në Botë”, thuhej më tej.

FSHF është e bindur që fizionomia dhe idetë e tij për progresin e Futbollit të Kosovës, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar do të ndiqen dhe elaborohen ndër vite nga brezat dhe kolegët e FFK-së.

“Ndarja e tij e parakohëshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe për futbollin kosovar, por edhe për të gjitha trevat shqipfolëse anembanë botës. Lamtumirë miku ynë Fadil! Shpirti yt u prehtë në paqe!”