Arbëri

Haradinaj përmend arritjet e qeverisjes së tij, thotë se ndryshimi ka nisur

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ndryshimi në Kosovë ka nisur. Sipas tij, për këta muaj qeverisjeje, ka ndryshuar kursin e punës në sistemin gjyqësor, duke aktivizuar të gjithë mekanizmat, për të shënuar rezultate konkrete. “Dhe rezultate janë shënuar”, thotë ai.

“Raportet nga vendi tregojnë se në sistemin gjyqësor dhe në të gjitha hallkat e tij ka progres sa i përket zgjidhjes së rasteve. Qeverisja aktuale nuk ka asnjë aferë korruptive”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj tutje ka shkruar se Qeverisja aktuale ka arritur që të kalojë vendime, tejet të rëndësishme sa i përket përafrimit të vendit me agjendën europiane.

“Demarkacioni është hap tjetër i rëndësishëm, i pasuar me pakon e ligjeve, që përafrojnë vendin me legjislacionin e BE-së. Ky është vit i sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftimit të korrupsionit, ku do të ketë Zero tolerancë në këtë fushë”, ka thënë tutje ai.

Kryeministri thotë se Kosova është në rrugë të mirë për të marrë liberalizimin e vizave dhe kjo falë përkushtimit tonë dhe punës së deritashme.

“Kosova nuk ndryshon për një ditë, por ndryshimi ka nisur dhe ne do i qëndrojmë pas. Vendimet e marra në këta 8 muaj, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. 4 për qind është rritja e përgjithshme e pagave dhe çdo ditë po punohet që kjo të ndryshojë në trend pozitiv”, ka shkruar Haradinaj.

Ai thotë se është hera e parë që kontrata dhe vendimet bëhen publike menjëherë pas marrjes së tyre, duke shprehur vendosmërinë për transparencë.

“Dhe është hera e parë që kategori të caktuara futen në skemën e pagesave, siç është ajo e grave të dhunuara gjatë luftës. Këto janë vetëm disa shembuj të punës që po e bëjmë dhe rezultatet e së cilës po shihen çdo ditë”, shkruan tutje.

Haradinaj thotë se në interpelancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, përveç kritikave konstruktive janë thënë shumë të pavërteta nga skeptikët dhe ata që nuk duan të besojnë që Kosova mund të ndryshojë për të mirë, për ata që kanë pasë rastin të bëjnë punë të mirë, por që kanë zgjedhë të mos punojnë.

“Qeveria do të jetë e hapur për kritika, se vetëm kështu mund ta përmirësojmë punën tonë, por nuk mund të toleroj të pavërteta që bëhen në dëm të të gjithë neve, që bëhen në dëm të Kosovës dhe që mund ta pengojnë rrugën e saj jetike, rrugën euro-atlantike”, ka përfunduar shkrimin e tij në Facebook, kryeministri Ramush Haradinaj.