Arbëri

Nisin konsultimet publike për tri projektligjet përafruese me BE-në

Ministria e Administratës Publike ka filluar fushatën e informimit dhe konsultimit të publikut për pakon legjislative të tri projektligje të administratës: Projektligjin për administratën shtetërore, Projektligjin për zyrtarët publikë si dhe Projektligjin për pagat.

Ministri Mahir Yagcilar, për këtë fushatë e cila do të zgjasë 15 ditë pune, është shprehur se synon përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile për t’i njoftuar me ndryshimet që sjellin këto ligje.

Sipas Yagcilar sot fillon një fazë qenësore në procesin vendimmarrës në miratimin e pakos për reforma publike.

“Këto tri ligje po bëhen që administrata publike të jetë në shërbim më të mirë ndaj qytetarëve, në këtë aspekt, më lejoni të nënvizoj disa segmente kryesore për projektligjet. Projektligji për administratën shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionim e institucioneve të administratës publike dhe agjencive të pavarura të themeluara nga kuvendi, qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe performancën e tyre. Ndërsa, projektligji për zyrtarët publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësim të zyrtarëve publik në institucione të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri”, u shpreh ai.

“Projektligji për paga ndërsa përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë në vija parimore. Ky projektligj pritet të adresojë problemin me, sidomos me pagat të nëpunësve civil, i cili ka ekzistuar një ligj, por i cili nuk ka hyrë në fuqi nga aspekti financiar, edhe ka vlejtur vetëm për 18 mijë punonjësit apo nëpunësit civilë. Ndërsa me këtë ligj, me ligjin për pagat do të bëhet përfshirja e rreth 80 mijë njerëzve, ose zyrtarëve sipas kritereve të përcaktuara nga një numër i madh i akteve ligjore dhe vendimeve të qeverisë”, u shpreh Ministri Yagcilar.

Ai ka shtuar se për shkak të kësaj situate ka një sistem joefektiv të pagave, që ka shkaktuar pabarazi të pagave në sektorin publik.

Koordinatori shtetëror për reforma, Besnik Tahiri ka thënë se ky ligj nuk është duke ardhur në befasi, por është duke ardhë në një moment të rëndësishëm për Kosovën.

“Ajo çka ne po bëjmë me këto tri ligje, është ne po e rregullojmë në esencë raportin e institucioneve shtetërore, po e rregullojmë shërbimin civil, zyrtarin publik, dhe në bazë meritore po i japim pagën, koificietin zyrtarëve shtetërorë, deri më tani kemi pasur kisha me thënë, kemi pasur një situatë jo të mirë, kemi pasur një disproporcion shumë të madh të pagave, një numër të madh të koeficienteve, të cilët përgjatë kohës kanë rënë, mirëpo me këtë ligj do të formalizohet një proces i barabartë në të gjitha nivelet shtetërore, si në rregullimin institucional, si në përgjegjësi në detyrë, ashtu edhe në pagë, pra parimi është shumë i thjeshtë për punën e njëjtë, paga e njëjtë”, u shpreh Tahiri.

Në fjalën e tij Visar Rushiti, nga organizata joqeveriatre Demokraci Plus (D+), u shpreh se nevoja për këto ligje është përmendur edhe në Raportin e Progresit.

“Sot po bëhet një fillim i procesit nëse muj me thanë të konsultimeve publike që do të zgjatë për 15 ditë, mirëpo nëse do të jetë nevoja do të zgjatet edhe më tepër në mënyrë që të gjitha komentet e akterëve të interesuar dhe të shoqërisë civile të jenë pjesë e ligjeve. Mundem me thënë që nga ajo që unë kam parë, dhe që kam deri diku kam kontribuar në grupet punuese të këtyre projektligjeve, janë bë tri projektligje që janë shumë të mira deri në këtë fazë dhe unë do të doja që të kemi një proces të tillë gjithëpërfshirës dhe një konsistencë, një kohezion deri në miratimin e tyre final në Kuvend të Kosovës”, u shpreh Rushiti.

Ai ka thënë se deri tani është bërë një proces i mirë, mirëpo si shoqëri civile do të kontribuojnë që Kosova ta ketë një reformë të mirë të administratës, pjesë e së cilës do të jenë këto projektligje.

Naser Shamolli, drejtor i Departamentit ligjor në MAP, ka bërë një shtjellim të këtyre tri projektligjeve, duke treguar se procesi gjithëpërfshirës i draftimit ka filluar në shtator të vitit të kaluar.

“Si proces ka filluar në vitin 2016, me hartimin e koncept dokumenteve për dy ligjet e para, derisa është kurorëzuar si proces me hartimin dhe miratimin e koncept dokumentit për pagat, i cili përfundimisht është miratuar nga qeveria e Kosovës në mars të këtij viti. Procesi i draftimit në fakt ka filluar në shtator të vitit të kaluar dhe u përsërit nga parafolësit që ka qenë gjithëpërfshirës, ne kemi një grup të madh të punës që përfshin gjithë akterët e mundshëm nga niveli qendror, po ashtu nga shoqëria civile”, tha ai.