Arbëri

Selmanaj: Krerët e shtetit po garojnë se kush po abuzon më shumë

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, ka thënë se krerët e shtetit po garojnë me njëri-tjetrin se kush po abuzon më shumë me paranë publike.

Sipas tij, kabineti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, merr pagë vjetore në total më shumë se gjysmëmilioni euro në vit.

“Kam kërkuar informata për numrin e këshilltarëve të kryetarit, shpenzimet për udhëtime jashtë, për karburante, për telefoni e të tjera. S’kam marrë përgjigje. Arsyetimi i tyre është se janë publike. Por s’janë të deshifruara. Në raport thuhet pagat për këshilltarë politikë e qet shifrën totale, por jo kush janë, çfarë shpenzime kanë bërë me bileta, me telefona e të tjerë. Është dashur të gjendet një alternativë tjetër, përfshirë raportin në Agjencinë Anti-Korrupsion. Vetëm nga kabineti i kryetarit shpenzohen 520 mijë euro në vit për paga, duke mos përfshirë shpenzimet e udhëtimit. 102 mijë kilometra në vit i bëjnë këshilltarët e kryetarit të Kuvendit me vetura”, ka thënë ai. “Paga bazë është 1040 euro. Përpos 1000 eurove i marrin edhe 50 për qind të rrugës bazë. Kalkulimet që kam bërë del që secili këshilltar merr 1800 euro, duke hequr shpenzimet për telefona e makina. Çka po funksionon në këtë vend?”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.

Sipas Selmanajt, kryetari i Kuvendit nuk ka nevojë për më shumë se dy këshilltarë dhe assesi 15 siç i ka aktualisht Veseli. Këtë numër të madh të kabinetit të kryeparlamentarit, Selmanaj ka thënë se e sheh si lloj gare mes tij dhe kryeministrit se cili po bën abuzime më të mëdha dhe garë për akomodim njerëzish.

Ai ka thënë se nuk pret që kjo të ndalet, por që “duke e njohur kryetarin dhe PDK-në pres që ata kanë me e rritë mundësinë e abuzimit. Kanë me e rritë mundësinë e qasjes jo të përgjegjshme. Po të reflektonin, s’do të arrinin këtu”.

Selmanaj ka folur edhe për mospjesëmarrjen e deputetëve në seanca parlamentare. Ka thënë se kjo është “sëmundje” që s’ka shërim. Sipas tij, e vetmja masë ndëshkuese duhet të jetë vota e qytetarëve sepse masat administrative nuk mjaftojnë.

“Kjo është problematikë që ka përcjellë gjitha legjislaturat dhe për fatin e keq kjo sëmundje s’po mund të kurohet. Vazhdon papërgjegjësia e deputetëve. Ata janë zgjedhur nga qytetarët. Por kjo s’po i lë përshtypje deputetëve. Shumica e seancave po ndërpriten për shkak të mungesës së kuorumit. Mbahen seancat rrallë. Ngjeshën pikat e rendit të ditës. Kryeministri mungon në interpelanca. Ai më përpara zgjedh festivale e për të përcjellë Rita Orën edhe pse e ka ditur se ka dy muaj që kur është thirrur interpelanca. Një qasje e tillë për të pamundësuar kuorumin nga shumica ka krijuar një dembeli te deputetët që secilin proces po e marrin si të parëndësishëm. Edhe ligjet nuk po trajtohen më seriozisht. Kur po vendosen 20 pika të rendit të ditës, po lodhen njerëzit. Ka masa administrative për t’i ndëshkuar. Gjykimi apo ndëshkimi më i madh është me votë”, ka thënë ai duke shtuar se ndalja e mëditjeve nuk është masë e rëndë për deputetët.

Sa i përket platformës së qeverisë për fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe që palën kosovare ta udhëheqë presidenti Hashim Thaçi, Selmanaj ka thënë se Kuvendi duhet të ketë gisht patjetër në dialog.

“LDK-ja ka qëndrim të qartë. Nuk e përkrah platformën e qeverisë. Nuk kemi folur për pika të veçanta. Kemi folur për platformën në tërësi. Për këtë çështje po flasim për procesin e jo për emra të përveçëm. Kemi thënë se ka elemente jokushtetuese dhe e kemi pasur referencë edhe këtë (pikën ku presidenti merr udhëheqjen e dialogut). Ne vlerësojmë se Kuvendi duhet të ketë rolin kyç në këtë proces. Qëndrimi i LDK-së është se nuk diskutojmë kush i udhëheqë, por Kuvendi të ketë rolin e vet. Duhet të negociohet në fazat fillestare. Kosova është republikë parlamentare”, shtoi ai.