Arbëri

Podujeva, marrëveshje me USAID-in për kultivimin e dredhëzës dhe bimëve mjekuese

Komuna e Podujevës, përmes programit AGRO të USAID-it, ka nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën bujqësisë me përfaqësuesit e kompanive “Agroprodukt VM”, “Herta-Fruits” dhe “Agro-Peti”, për furnizim të fermerëve me fidanë të dredhëzës industriale dhe bimëve mjekuese aromatike.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural i Komunës së Podujevës, Vezir Januzi, ka pritur në takim drejtorin e Programit Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (USAID), Fatmir Selimi, si dhe përfaqësuesit e kompanive “Agroprodukt VM”, “Herta-Fruits” dhe “Agro-Peti”.

Në takimin, ku ishit prezentë edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtori i Ambientit, Hamdi Jaha, u bisedua për rëndësinë e projekteve të përbashkëta që do të realizohen dhe mundësitë e partneritetit edhe ne fusha të tjera, me interes për zhvillimin e bujqësisë në Podujevë.

Me këtë rast, drejtori Januzi, përfaqësuesi i “Agroprodukt VM” - Rrustem Imeri, përfaqësuesi i “Herta-Fruits” - Jeton Sfirca dhe përfaqësuesi i kompanisë “Agro-Peti” - Petrit Shabani, në prezëncën e drejtorit të programit AGRO të USAID-it, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për rritjen e sipërfaqeve me dredhëz industriale dhe bimë mjekuese aromatike.

Palët nënshkruese të marrëveshjeve vlerësuan se qëllimi kryesor i tyre është zhvillimi i industrisë komerciale të dredhëzës, varieteti Senga Sengana dhe bimëve mjekuese aromatike në Komunën e Podujevës, duke marrë për bazë potencialin që kanë si dhe ngritjen e zhvillimit të ekonomive familjare, krijimit mundësisë së punësimit dhe rritjes së shitjeve përmes eksportit.

Marrëveshjet e nënshkruara janë pjesë e programit AGRO të USAID-it dhe në bazë të tyre kompanitë “Herta-Fruits” dhe “Agro-Peti” do të sigurojnë fidanë të dredhëzës të varietetit Senga Sengana për një sipërfaqe prej 24 hektarësh, ndërsa “Agroprodukt VM”do të sigurojë fidanë me bimë mjekuese aromatike për 2.5 hektarë.

Gjithashtu kompanitë nga këto marrëveshje do të ofrojnë bashkëpunim të plotë në këshillime dhe trajnime për fermerët përfitues, të cilët do të përzgjedhjen në bashkëpunim me DBPZHR – Podujevë.