Arbëri

Babai që vrau të birin në Karaçevë mbetet në paraburgim

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Gani Bernjashi.

Në këtë mënyrë, Apeli ka refuzuar ankesën e avokatit të tij mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 25.05.2018.

Bernjashi po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” pasi që me datë 24.05.2018, në mënyrë tejet të vrazhdë, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij të ndjerin Luan Bernjashi.

“Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij konform dispozitave të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës”, ka thënë Gjykata e Apelit.

Më 23 maj u raportua për një vrasje të rëndë në Karaçevë të Poshtme të Kamenicës. Fëmija 14-vjeçar Luan Bernjashi është rrahur për vdekje nga babai i tij.

60-vjeçari e ka mbajtur për disa orë në shtëpi djalin e tij dhe tek rreth orës 1 pas mesnate e ka dërguar në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.