Arbëri

Auditori: Qeveria hyn në huamarrje për financimin e projekteve të planifikuara keq

Zyra Kombëtare e Auditimit, për herë të parë ka nxjerrë një raport auditimi për menaxhimin e borxheve publike.

Kjo Zyrë ka bërë me dije se Qeveria në periudhën kohore 2009 - 2017 ka respektuar të tërësi limitin e lejuar për marrjen e borxheve publike dhe niveli i borxhit nuk paraqet ndonjë kërcënim për stabilitetin financiar të shtetit.

ZKA thotë se borxhi publik është përdorur për financimin e deficitit të buxhetit dhe financimin e projekteve investuese të cilat vlerësohen të jenë me interes kombëtar.

Sipas kësaj zyre, borxhi ndërkombëtar dhe i brendshëm, ka një trend të rritjes ku në vitin 2009 borxhi i përgjithshëm ishte 6.12% e BPV, ndërsa në vitin 2017 është rritur në 16.63%.

“Derisa cilësia menaxhuese me borxhet publike është vlerësuar shumë e mirë, shqetësuese është aftësia e dobët e organizatave zbatuese të projekteve në shfrytëzimin me kohë të këtyre fondeve. Në mungesë të përgatitjeve të duhura për fillimin e ekzekutimit të projekteve, 295,809,378 euro janë mjete të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë në dispozicion për t’u përdorur”, thotë Zyra Kombëtare e Auditorit, raporton Koha.net.

Si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, ZKA thotë se vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890,000€.

“Është vërejtur se nga 6 projekte kapitale të planifikuara në Ligjin e buxhetit sipas viteve 2014, 2015, 2016 dhe 2017 dhe projeksioneve dy vjeçare të përfshira edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, realizimi është shumë i ulët ndërsa në 3 prej tyre vlera e realizimit apo tërheqjes së kredive është 0%. Vonesat e tilla janë rezultat i një studimi të dobët të fizibilitetit të projekteve, si dhe mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e të gjitha pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, për çka Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar”, thotë ZKA në raportin e saj.

Në anën tjetër, trendi i rritjes së borxheve të brendshme, e sidomos shtimi i përdorimit të fletë obligacioneve dhe zvogëlimi i bonove të thesarit, ZKA thotë se ndikon në rritjen e normave të interesit (kostos së borxhit).

Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar Qeverinë që para se të fillojë procesi i huamarrjeve, të bëhen analiza dhe planifikime të hollësishme që fondet e huamarrjes të shfrytëzohen me kohë, në mënyrë efikase, efektive dhe ekonomike, derisa për borxhin aktual Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar në mënyrë që të rritet dinamika e përdorimit të fondeve në dispozicion.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.