Arbëri

Ish-Sekretari i MSH-së, Ilir Tolaj, shpallet i pafajshëm

Ilir Tolaj, ish-sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, është liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Besnik Berisha, i cili e quajti lajm të mirë lirimin e tij ndërsa lajm të i keq për nivelin e Prokurorisë.

“Lajm i mirë dhe i merituar për z. Ilir Tolaj dhe familjen e tij, lajm i keq për nivelin e Prokurorisë. Lirohet nga të gjitha pikat e aktakuzës ish-Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Prof. Dr. Ilir Tolaj”, shkroi Berisha, raporton Koha.net.

Ndërkaq vetë Tolaj tha se është bërë luftë shtrigash kundër tij me qëllimin e vetëm që ta largojnë nga skena.

Ai pret që edhe në rastin tjetër ku është i akuzuar të shpallet i pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se ka shpallur publikisht aktgjykimin PKR.nr.382/15 kundër të akuzuarve Ilir Tolaj dhe pesë të tjerëve për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të akuzuarit I.T, Z.K, B.F, V.H-P, F.T dhe R.TH janë liruar nga akuza, pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë ngarkuar. E dëmtuara Ministria e Shëndetësisë, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civil”, thotë GJTH.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.