Arbëri

Sipas Florion Mimës, 80 mijë shqiptarë të varur nga kokaina

Në Komisionin e Medias, opozita po investohet kundër mbylljes së një portali www.kryeministri.com, ndërkohë që një prej deputetëve të PD-së, Florion Mima e ka parë problemin më gjerë se kaq.

“Ju po diskutoni sot për heqjen e aksesit në një portal dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme siç është e rëndësishme heqja e aksesit të 30 mijë familjeve që janë përzënë nga skema e ndihmës ekonomike dhe nuk kanë akses për një kothere bukë, nuk kanë akses për të njomur buzën me ujë.

Kjo është po aq e rëndësishme sa heqja e aksesit të 380 mijë vetave që nuk u lejohet të vijnë në atdheun e tyre por përzihen me shkelma.

Po aq sa është e rëndësishme mbyllja e 5 mijë bizneseve në vetëm tre muaj.

5 mijë biznese janë minimalisht 10 mijë të punësuar, sot nuk kanë akses të marrin rrogën e tyre.

Njësoj sa mungesa e hapjes së negociatave.

Është e qartë për të gjithë tashmë që negociatat nuk hapen se nuk do PS, se nuk do PD, jo.

Unë kam bindjen se mes jush kolegë të mazhorancës ka njerëz që duan ta mbajnë kokën lart.

Një pjesë fare e vogël dhe ajo e lidhur specifikisht me Rilindjen, ata mund të kenë arsye për të mbajtur kokën poshtë…”, tha Mima.

Më tej, ai shtoi: “Shihni rotacionin e klaneve në Ministrinë e Brendshme. Klani i marihuanës iku. Erdhi, kreu misionin e vetë e kanabizoi vendin dhe në xhiro vjetore thotë EUROPOL, 9 miliard euro, 4 miliard është buxheti i shtetit i Shqipërisë. 9 miliard euro dhe pjesa më e madhe vjen nga Shqipëri, thotë EUROPOL. Në ikje e sipër është klani i kokainës. 2 miliard e gjysëm euro, thotë Kombet e Bashkuara. Por krimi më i madh nuk është ky, krimi më i madh është se 2.5% e popullsisë është “addicted” (të varur) tek kokaina. Janë 80 mijë shqiptarë që nuk e dinë a e kanë jetën e sigurt apo jo. Kanë rënë në kthetrat e kësaj droge dhe vështirë të dalin pa një përpjekje serioze të të gjithë ne”.