Arbëri

Arifi: Sensibilizimi ndërkombëtar për mos-zbatim të marrëveshjeve nga Serbia nuk do t’i pëlqejë kurrë Gjuriqit

Foto: Koha

Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, i ka reaguar shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit, i cili tha se “refuzimi i dialogut nga ana e Prishtinës është i rrezikshëm”.

Arifi, përmes një postimi në Facebook, tha se deklaratat nga Serbia gjithmonë janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe karakterin e dialogut.

“Serbia vazhdon ta mbajë peng zbatimin e marrëveshjes për energji dhe për këtë tashmë janë në dijeni të plotë të gjithë aktorët relevantë, përfshirë Berlinin zyrtar. Ky sensibilizim ndërkombëtar sigurisht se nuk i ka pëlqyer dhe asnjëherë nuk do t'i pëlqejë shefit serb të negociatave, andaj deklaratat malinje për të ardhmen e Kosovës nuk janë asgjë e re për ne”, tha Arifi.

Ai theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që t'i përmbushë të gjitha detyrimet ndërkombëtare, por njëkohësisht kërkon, pa asnjë përjashtim, përmbushjen e të gjitha obligimeve nga të tjerët.

“Ka mbaruar koha e implementimit të njëanshëm të marrëveshjeve”, u shpreh ai.

Sot gjatë ditës, drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se refuzimi i dialogut nga ana e Kosovës është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm, njësoj sikurse edhe mohimi i detyrimeve të marra.