Arbëri

Kurti në takim me Sholtesin: Bashkimi i Mitrovicës më i rëndësishëm se ulësja në OKB

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka zhvilluar një takim me raportuesin e Bashkimit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes.

Gjatë takimit është biseduar për situatën politike dhe institucionale në Kosovë, për drejtësinë dhe EULEX-in, e po ashtu për dimensionin social e ekonomik të vendit.

Kurti gjatë takimit theksoi se për shtetndërtimin dhe zhvillimin tonë, “bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm sesa ulësja në OKB që po premtohet pa mbulesë dhe se tash kur shënojmë një dekadë të EULEX-it mund të themi se ai ka dështuar sa i përket si krimeve të luftës po ashtu edhe krimeve të paqes”.

Ky takim, siç thotë partia, ishte në kuadër të një bashkëpunimi të vazhdueshëm të Lëvizjes Vetëvendosje me përfaqësuesit dhe zyrtarët nga Bashkimi Evropian.