Arbëri

Thaçi: Spanja nuk është Serbia e Millosheviqit, duhet ta njohë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje qeverisë spanjolle që ta njohë vendin tij “sa më shpejtë që të jetë e mundur” duke i thënë që të mos e ndërlidh rastin e Kosovës me atë të Katalunisë.

“Spanja nuk është Serbia e Millosheviqit dhe Kosova nuk është Katalonia”, ka thënë Thaçi në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare spanjolle të lajmeve EFE gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih (MSC).

Thaçi thotë se njohja e Kosovës si shtet nga Madridi nuk do të ketë pasoja për tensionet nacionaliste në Spanjë sepse “nuk ka paralele” mes këtyre dy çështjeve.

“Nuk ka paralele mes rastit të Kosovës dhe rastit të Katalonisë apo Shtetit Bask. Së pari, Spanja nuk është Serbi e ish-presidentit Slobodan Millosheviq dhe Kosova nuk është Kataloni e as Shteti Bask. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

“I bëj thirrje Spanjës që ta njohë Kosovën sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë presidenti Thaçi në këtë intervistë për EFE.

“Dua të besoj se Spanja do të na e bëjë jetën më të lehtë e jo më të vështirë. Jemi shtete mike, ndajmë vlera dhe Spanja nuk ka asgjë kundër Kosovës si të tillë”, ka thënë ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçi.

Thaçi potencon se Spanja veçse është duke e përkrahur vendin e tij përmes institucioneve evropiane, se ka spanjollë në organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe se ushtarët spanjollë kanë bërë “punë të mrekullueshme” në misionet paqësore në rajon.

Për Thaçin, “përkushtimi pro-atlantik” i vendit të tij është thelbësor, në favor të anëtarësimit në BE dhe NATO, dhe është diçka që “s’mund të devijojë”.

Madje as themelimi i Gjykatës Speciale, e cila pritet të gjykojë disa ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së për krime të kryera gjatë dhe pas luftës kundër forcave serbe.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, të gjitha kriteret që janë kërkuar, kemi bashkëpunuar nga afër me të gjithë akterët, i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, nuk kemi asgjë për të fshehur”, ka thënë presidenti Thaçi, transmeton Koha.net.

Sipas tij, gjykata “është në të vërtetë në favor të Kosovës” dhe se procesi ligjor “do të parandalojë çdo përpjekje për të rishkruar historinë” dhe do të mbyll “njëherë e përgjithmonë kapitullin e luftës”.

“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë ndërsa lufta e popullit të Kosovës ka qenë betejë e drejtë”, thekson Thaçi.

Megjithatë, ai beson se “ky proces duhet të depolitizohet krejtësisht” dhe se nuk guxon të lejohet të kthehet në “proces politik”.

Për sa i përket Serbisë, Thaçi thekson se vetë dialogu është zgjidhja për problemet mes dy shteteve të pavarura.

Sipas tij, pengesa kryesore në këtë proces dialogues drejt normalizimit është “njohja reciproke”.

Ndërkaq, duke folur edhe për idenë e fundit të paraqitur në media për shkëmbim territoresh me Serbinë, Thaçi thotë se kjo ide është “krejtësisht e papranueshme dhe e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit”.

“Duhet t’i respektojmë kufijtë shtetërorë të të gjithëve dhe nuk kemi pretendime apo aspirata për t’i ndryshuar ata”, thotë Thaçi, transmeton Koha.net, duke paralajmëruar “efekt të rrezikshëm dominoje sepse askush nuk e di ku do të përfundonte” nëse kjo çështje hapet.

Aspirata e qeverisë së vendit të tij, potencon ai, është “mos-ndryshimi i kufijve dhe eliminimi i tërësishëm i tyre” sipas “modelit evropian” me “liri të lëvizjes për njerëz dhe mallra”.